Përkeqësohet situata në Shkodër, rritet niveli i ujit dhe tokat e përmbytura

Mëngjesi i datës 10 shkurt ka sjellë një situatë më të rënduar sa i takon zonave të përmbytura në Bashkinë e Shkodrës.

Thuajse në të gjitha fshatrat e njësive administrative, Ana e Malit, Dajç, Berdicë, Guri i zi, Velipojë dhe rrethina, jo vetëm që është shtuar sipërfaqja e tokës së përmbytur, por është rritur deri në 20 cm thellësia e ujit në zonat e përmbytura. Në disa toka bujqësore niveli i ujit ka arritur deri në 2.5 metra thellësi.

Sipas raportit të hartuar nga Bashkia e Shkodrës, janë me qindra banesat që janë të izoluara nga uji dhe kanë dhjetëra cm ujë në oborre, ndërsa disa prej tyre janë përmbytur duke u futur uji brenda banesave.

Ndërkohë, rritje të ndjeshme të nivelit të ujit është shënuar edhe në Liqenin e Shkodrës, ku kuota ka arritur në 8.95 metra, pra 25 cm mbi kuotën maksimale. Ndërsa, lumi Drin është vetëm 10 cm larg pikës së tij maksimale.

Përballë kësaj situate, Bashkia e Shkodrës vijon të përsërisë thirrjen për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në zonat e përmbytura si dhe furnizimin me bazë ushqimore për gjënë e gjallë.