Programi i PD-së për turizmin, Bumçi: Ulje e TVSH-së, taksave, naftës dhe energjisë, por edhe infrastrukturë

Ulja e TVSH në 6 % për turizmin është lajmi i shumëpritur i i të gjithë sipërmarrësve në këtë fushë, deklaroi përfaqësuesi demokrat Aldo Bumçi në studion e Ditari në A2 CNN, teksa shpjegoi në detaje programin e Partisë Demokratike për turizmin. Ai theksoi se kjo do të shoqërohet me uljen e naftës dhe energjisë elektrike, si paketë për turizmin, për të përmirësuar shërbimet dhe për të ulur koston e pushimeve.

“Kjo qeveri rriti taksat edhe në fushën e turizmit, çmimin e naftës dhe turizmi nuk kuptohet pa udhëtim dhe udhëtimi përdor naftën e benzinën dhe kjo çon në paketë të shtrenjtë turistike, rritja e energjisë. Ne do ulim në 6% TVSH për turizmin për të gjitha kategoritë, kjo është ndihmë e jashtëzakonshme për sipërmarrësit në këtë fushë, se do ulë ndjeshëm kostot e të bërit biznes. Ky është lajmi i shumëpritur nga sipërmarrësit në këtë fushë. Ulja e naftës në 240 lekë për litër, të cilën sektori i turizmit, agjencitë, e kanë pjesë të pandashme udhëtimin. Ulja deri në 40% e energjisë elektrike është një paketë e jashtëzakonshme. Kjo do bëjë që paketat të jenë  më të lira dhe më të mira për sipërmarrësin për të përmirësuar shërbimet dhe punësimin.

Pjesa tjetër është paketa fiskale për bizneset me 140 milionë lekë të vjetra xhiro në vit. Ulje taksash e sigurimesh dhe paketa specifike për turizmin do ulë ndjeshëm kostot e pushimeve në Shqipëri dhe do të nxisë ardhjen e turistëve, se do jemi më konkurrues”.

Një element tjetër po kaq i rëndësishëm për turizmin, theksoi Bumçi, është edhe infrastruktura rrugore, dhe këtu solli shembullin e Shëngjergjit që po braktisej se nuk kishte rrugë dhe kur në kohën e qeverisë Berisha u ndërtua rruga, ai u kthye në vend tërheqës për turistët.

“Turizmi është rritur se Shqipëria është sekreti i fundit i Europës dhe ky potencial do ta bëjë të arritshme për të gjithë, me taksa të ulura dhe rrugë të ndërtuara”.

Ai tha se me ardhjen e PD-së në pushtet do të hiqet edhe trau në Rrugën e Kombit, dhe kjo sipas tij do t’i shërbejë turizmit.

Duke folur për çështjen e pronës ai tha se kjo është e rëndësishme, por nuk pengon zhvillimin e turizmit.

“Çështja  e pronës është e rëndësishme, por nuk pengon investimet dhe zhvillimin në turizëm, nëse ndërton apartament, dhe kanë investuar në apartament, nuk ka penguar zhvillimin. Gabim bashkimi i zyrës së legalizimit dhe kadastrës. Kjo që ka ndodhur në Vlorë nuk ka ndodhur kurrë”.