Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 50%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 50%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Shifrat dramatike të turizmit, Vathi: Nuk arkëtojmë asgjë nga nëntori

Nga A2 CNN
10 Shkurt 2021, 21:23 | Ekonomi
Shifrat dramatike të turizmit, Vathi: Nuk arkëtojmë asgjë

Një tjetër sektor i goditur fort nga pandemia është turizmi, një ndër degët kryesore në punësim, por edhe në zhvillimin e ekonomisë. Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë periudhës së karantinës, xhiro e agjencive të udhëtimit ra me 85,6%, ndërsa në tremujorin e tretë që janë edhe muajt e verës dhe duhet të ishte edhe pika kulmore e punës së këtij aktiviteti, rënia u vlerësua në 56,9%.

Besnik Vathi, kryetar i Shoqatës së Tur Operatorëve, tha në A2 Business, se rënia është edhe më e madhe se kaq. “Sektori i turizmit është më i godituri nga pandemia. Diferenca e sektorëve të tjerë me tonin është e madhe. Ky sektor ka pësuar rënie me 90% në raport me vitin e kaluar. Këto shifra janë marrë nga një sondazh që kemi bërë me anëtarë të shoqatës dhe jo anëtarë”.

“Humbjet shkojnë nga 20 mijë, deri në 120 mijë euro për subjekt, falimentimi shkon në masën 50%, mbylljet provizore dhe totale shkojnë 70% dhe pjesa e atyre që kanë mbetur hapur jetojnë me vetëfinancim, pa asnjë të ardhur gjatë kësaj kohe”, shtoi Vathi.

Ai tha se ky sektor nuk është ndihmuar fare nga qeveria. “Kur dëgjoj do të ketë mbyllje përsëri, nuk më bën përshtypje, sepse ne jemi aktualisht të mbyllur. Ne aktualisht nuk arkëtojmë asgjë që nga nëntori... Kërkesa jonë kryesore është që qeveria ta pranojë që ky sektor është goditur, sepse askush nuk e pranon. Kredia sovrane që u dha për bizneset e dëmtuar përjashtoi sektorin më të dëmtuar”.

Perspektiva është tepër e errët, sipas Vathit, sepse deri tani nuk ka asnjë plan për hapjen. “Nëse në çdo sektor hapja mund të ndodhë me uljen e infeksioneve, hapja në sektorin e turizmit do të zgjasë minimumi 3-4 muaj më shumë. Nëse nuk marrim rezervime pas periudhës së pranverës, atëherë duhet të takohemi në vjeshtë. Duhet ndërhyrë për t’i ndihmuar bizneset, nuk po arkëtojmë prej 4-5 muajsh asnjë euro. Kemi mbajtur 30% të punonjësve për të mos humbur investimin deri 35-vjeçar”.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli