“Sistemi ekonomik ka rënë, 2 mld dollarë dëme”, Buxhuku: Shifrat e INSTAT kanë problematika të mëdha

“Ekonomia ka pësuar minimalisht 2 miliardë dollarë dëme për shkak të mbylljes”. Këtë deklaroi kreu i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku, i ftuar në “A2 Business”.  I pyetur nëse mund ta përballojë biznesi një mbyllje të dytë, Buxhuku theksoi që nëse merren masa të ngjashme me ato të 6 mujorit të parë të vitit të kaluar, shumë biznese do të shkojnë drejt falimentimit.

“Frika e madhe është që nëse kjo gjendje vazhdon edhe me tregjet globale dhe brenda vendit, do të merren masa të ngjashme me ato që u morën në 6 mujorin e parë. Do të kemi jo vetëm dobësim biznesi, por operatorë e kategori të caktuara mund të shkojnë drejt falimentimit. Ekonomia ka pësuar minimalisht 2 miliardë dollarë dëme dhe kjo u duk te ardhurat e munguara në buxhet që i përgjigjen gati 400 milionë dollarë dhe të shohim masat që do të marrë qeveria për sa i përket mbylljes”.

Buxhuku e sheh me skepticizëm deklaratën e disa ditëve më parë të ministres së Financave Anila Denaj, kur fliste për rritje të punësimit dhe biznese të hapura. Në këndvështrimin e tij, Buxhuku  thotë se problematika të mëdha te shifrat e deklaruara, pasi ekonomia ka pësuar rënie me minus 5%.

“Dua që t’i besoj shifrave të INSTAT e qeverisë, por kam frikë se kemi problematika të mëdha te shifrat e deklaruara ndaj është jo shumë i arsyetuar. Fakti që ekonomia pëson dëm me miliarda  dollarë, kemi rënie ekonomike me minus 5%.  Këto janë disa gjëra që duhet t’i nënshtrohen analizave të thelluara”.

Për Buxhukun sistemi ekonomik i vendit ka rënë, pasi ishte i dobët që para tërmetit dhe pandemisë. Ai e sheh me dyshim edhe menaxhimin e borxhit të marrë për të përballuar pandeminë.

“Sistemi financiar i vendit është shumë i dobët që para tërmetit e pandemisë, është sistem ekonomik i rënë. Sesi u menaxhua pandemia për 2020 mendimi është që u mor borxh, i cili duhet parë sesi u menaxhua nga ana e ndihmës për sektorin shëndetësor. Kam dyshime nëse u menaxhua me efektivitet për të parë se ku kanë shkuar këto para dhe e dyta është fakti që ne nuk kemi mundësi më për të marrë borxh se nuk kemi rezerva fiskale dhe financiare. Jemi në një trekëndësh që e kemi të vështirë të gjejmë zgjidhje. Deri tani unë mendoj që nuk është menaxhuar keq. Ne nuk kemi rezerva dhe kemi qenë të hapur”.

Sipas tij vendi përballet me dilemën për të gjetur zgjidhje optimale përballë masave të forta të mbylljes, si vendet e fuqishme, për të mbrojtur shëndetin, por në të njëjtën kohë nuk ka potencialin financiar për ta përballuar.

“Nëse do ishim një vend i pasur e fortë këto masa duhet të ishin më të forta sesa janë marrë. Jemi përballë një pandemie që nuk dihet si do të përfundojë. Vendet e fuqishme kanë masa më të ashpra se ne. Ne përballemi me dilemën e madhe që do marrim masa mbyllje për të mbrojtur shëndetin kur nuk kemi rezervat dhe potencialin financiar për ta përballuar. Jemi të detyruar të gjejmë optimalen”.