Skema e zhvatjes tek Covid2, 45 ditë burg për “grupin” e Tires. Prokuroria: Fshinë bisedat me të

Tre infermieret dhe sanitarja e “Shefqet Ndroqit”, të dyshuara si bashkëpunëtore të Tire Alldervishit në një skemë zhvatjeje në spitalin Covid2, u përballën për herë të parë me gjykatën.  

Maskat anti-covid në fytyrë nuk ua fshihnin gjendjen e rënduar psikologjike, që u shpërfaq me koka të ulura dhe sy të përlotur. As ngashërimin në momentin e shpalljes së vendimit.Sipas vendimit, infermieret e dyshuara Mira Bushi, Sheqerie Koçi, Sidorela Çela dhe sanitarja Rukije Çela, do të qëndrojnë në “arrest në burg” për një afat 45-ditor, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe të “mashtrimit”.

Gjatë këtij afati, prokurori duhet të zbardhë komunikimet telefonike të tyre me Tire Alldervishin, apo për situata të tjera kompromentuese, si edhe të qartësojë veprat penale të kryera prej tyre.  

Gjatë seancës, referuar bisedave të rekuperuara nga telefoni i Tire Alldervishit, prokurori Bledar Valikaj ngriti dyshime për bashkëpunim mes tyre për të përfituar nga pacientët e familjarët, në këmbim të shërbimeve spitalore. Prokurori nënvizoi faktin se të katërta, pas arrestimit të Tires, kishin fshirë nga telefonat e tyre çdo komunikim me të, që, sipas prokurorit, tregon përpjekjen për të fshehur fakte.

Tre infermieret nuk dhanë deklarime në gjyq. Përmes avokatëve të tyre, mohuan akuzat dhe kërkuan masa më të buta sigurie, duke pretenduar se nuk kishin rrezikshmëri shoqërore dhe as rrezik që t’i fshiheshin hetimit. Ndërsa sanitarja Rukije Hoxha mohoi të ketë marrë para’ nga Alldervishi.

Gjatë afatit 45-ditor të masës së sigurisë, gjykata i la detyrë prokurorit të zbardhë komunikimet telefonike të të dyshuarave dhe Tire Alldervishit, apo për situata të tjera kompromentuese, si edhe të qartësojë veprat penale të kryera prej tyre.