Suksesi i filmave në shqip, 3 produksionet kinematografike që po vlerësohen nga ndërkombëtarët

KR FILMAT SHQIPTARE SUPER frame 1085 1100x620

Vetëm një javë më parë filmi “Zgjoi”, nga regjisorja Blerta Basholli, rrëmbeu tri çmime në “Sundance Film Festival” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I pari film me metrazh të gjatë në gjuhën shqipe arriti jo vetëm të konkurronte këtë fillimviti, por edhe të vlerësohej si filmi më i mirë, si produksioni me regjinë më të mirë, si dhe më i miri nga votat e audiencës në seksionin e Kinemasë Botërore.

“Zgjoi” është historia e vërtetë e Fahrie Hotit nga Gjakova që sot ka një ndërmarrje ku punojnë mbi 50 gra të cilat presin burrat e zhdukur nga lufta. Filmi është bashkëproduksion i Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë e Maqedonisë. Protagonistët që i dhanë jetë këtij filmi janë shqiptarët e Kosovës.

Por, ky nuk është filmi i vetëm që shkëlqeu në festivalet ndërkombëtare. “Në kërkim të Venerës”, një produksion i Norika Sefës u shpall në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Roterdam si më i miri mes kandidatëve.

I fundit lajm, që vjen nga bota shqiptare e kinematografisë, është lista e shkurtër e kandidatëve në Oscar. Pas suksesit në Festivalin e Filmit në Kanë “Furgoni”, nga Erenik Beqirit është në listën e shkurtër të Oscars për produksionet me metrazh të shkurtër. Regjisori shqiptar ka ndarë bashkëprodhimin e këtij filmi me Francën.