Sulmi në Kapitol, të arrestuarit: U nxitëm nga fjalët e Trump, ai na braktisi

Ata sulmuan Capitolin, duke thirrur emrin e Trump. Teksa në Senat ka nisur procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit amerikan, prokurorët federalë flasin për arrestime, të mbi 200 protestuesve, që morën pjesë në sulmin ndaj godinës së Kongresit, më 6 janar. Ata fajësojnë Trumpin për dhunën e ushtruar dhe thonë se janë nxitur prej tij.

“Presidenti braktisi popullin e tij. Është zhgënjyese sesi klienti im qëndron i mbyllur në një qendër federale në mes të Amerikës, teksa ish-presidenti Trump qëndron i qetë në Florida, duke bërë gjërat e tij, në përpjekje për të lënë pas atë që ndodhi më 6 janar, pa u ndjerë fajtorë. Klienti im nuk shkoi në Uashington me qëllim për të lënduar dikë apo për t’i vënë zjarrin Kapitolit. Ka pasur direktiva të qarta nga ai për të shkuar atje”, shprehet Brent Mayor, avokati i një të arrestuari.

Avokati mbrojtës i të arrestuarit Patrick McCaughey, që akuzohet se ka shtyrë me forcë një oficer policie për të hyrë në Kapitol, thotë se ai nuk ka pasur ndërmend të jetë i dhunshëm, por është frymëzuar nga fjalët e Trump atë ditë. Ndërsa, ekipi ligjor i Trump thotë se me fjalët e tij, ish-presidenti nuk ka dashur të nxisë dhunë.

Një tjetër i arrestuar, Mathew Miller, i tha gjykatësit federal se ka ndjekur me përpikmëri udhëzimet e Trump, për të marshuar drejt Kongresit. Miller është akuzuar për hedhje të sendeve drejt policisë.

Përpara gjykatës federale ka dalë edhe një tjetër protestues i 6 janarit, Thomas Caldwell, i cili në vitet 2009-2010 ka qenë pjesë e FBI-së amerikane. Kjo ngre të tjera pikëpyetje, për kërcënim të sigurisë kombëtare, në një nivel më të lartë, duke i hedhur benzinë zjarrit, për rrjedhje të informacionit, një problem shqetësues ky ndër dekada. FBI ende nuk ka komentuar.