Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Vonesat në shpërndarjen e vaksinave, Von Der Leyen: Janë bërë gabime dhe jam e keqardhur

Nga A2 CNN
10 Shkurt 2021, 13:12 | Bota
Vonesat në shpërndarjen e vaksinave, Von Der Leyen: Janë

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, ka pranuar se ka pasur dështime në procesin e aprovimit dhe shpërndarjes së vaksinave kundër Covid-19 dhe tha se i gjithë blloku i ka nxjerrë mësimet nga ky proces.

 “Është sot një fakt se në luftën kundër virusit, nuk jemi aty ku do donim të ishim. Jemi vonë në autorizim, jemi shumë optimist kur vjen fjala te prodhimi masiv dhe ndoshta besuam më shumë nga sa duhej se porositë tona do të dërgoheshin në kohë”, deklaroi ajo.

Përpara europarlamentarëve, Von Der Leyen, mbrojti qëndrimin e komisionit, për ndarje të barabartë të dozave në tregun europian, ndonëse deri më sot, shumë pak shtete të bllokut, kanë garantuar dozat që nevojiten.

 “Nuk mund ta imagjinoj çfarë do të kishte ndodhur nëse lojtarët e mëdhenj, të fuqishmit e BE-së, do të kishin nxituar për sa më shumë doza dhe pjesa tjetër do të mbeste pa gjë. Nëse do të vepronim ndryshe, cfarë do të nënkuptonte kjo për tregun tonë të përbashkët apo bashkimin e Europës? Flas në terma ekonomikë. Do të ishte pa sens dhe do t'i kishte dhënë fund komunitetit tonë.”

Komentet e Komisionit Europian erdhën pas kritikave të vazhdueshme për mungesën e vullnetit të krerëve të saj, për të bërë një shpërndarje të drejtë dhe të shpejtë të vaksinave të aprovuara. Dhe presidentja Von Der Leyen, i pranoi kritikat, duke shprehur keqardhje për ndasitë e krijuara javët e fundit.

“Janë bërë gabime në këtë proces, që po vijon dhe për këtë jam e keqardhur. Por në fund, gjithçka do të shkojë mirë”, shtoi ajo.

Edhe zyrtarë të tjerë të BE e kanë cilësuar këtë proces, prej dhjetorit të shkuar, kur nisi procesi i vaksinimit në disa vende të Europës, si një maratonë dhe jo një sprint, që duhet të fusë shtetet në luftë me njëra-tjetrën për më shumë vaksina.

A2 CNN Livestream

Dita jonë