Basha me biznesin në Durrës: Synojmë një rritje prej 15% të numrit të turistëve vit pas viti

WhatsApp Image 2021 02 11 at 13.31.40 600x338

Kryetari i PD, Lulzim Basha, u takua sot në Durrës me përfaqësues të biznesit të turizmit në këtë rajon për të shpjeguar “Programin Shqipëria Fiton për Turizmin”.

Kreu i opozitës u shpjegoi bizneseve efektet që do të ketë ky angazhim i qeverisë së tij pas 25 prillit për të gjithë turizmin në vend.

“Një pjesë e madhe e propozimeve tuaja gjatë dialogut që kemi pasur gjatë një viti e gjysmë, pothuajse dy vite, janë reflektuar në këtë plan. Padiskutim që turizmi ka marrë një rol kryesor në programin tonë, për arsyen e thjeshtë dhe të qartë, sepse përbën një prioritet kombëtar sa i përket objektivit tonë të rritjes ekonomike dhe të shumëfishimit të mundësive për të punësuar njerëzit dhe për të siguruar punonjësit me paga dinjitoze.

Është më mirë të jemi realistë, të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin dhe ato angazhime që merren, të kryhen. Po-ja të jetë po, angazhimi të përmbushet dhe padiskutim rritja ekonomike, zhvillimi ekonomik në çdo sektor dhe në veçanti në sektorin e turizmit hap pastaj të gjitha mundësitë që të kalojmë edhe përtej këtyre objektivave. Në rrafshin e objektivave të drejtpërdrejta  që kanë të bëjnë me turizmin, synimi kryesor është  që brenda 4 viteve industria të ketë një rritje nga 8 në 10%, dhe këtu padiskutim përjashtojmë pjesën e udhëtimit, që është pothuajse edhe njëherë kaq. Flasim vetëm për turizmin dhe jo për udhëtimin, së bashkë me udhëtimin na shkon 22%. Në praktikë kjo do të thotë, të dyfishojmë numrin e të punësuarve në sektor. Në praktikë kjo do të thotë synojmë një rritje prej 15% të numrit të turistëve vit pas viti. Këto janë objektivat. Instrumente se si duhet bërë kjo.

Ne kemi shpalosur disa prej këtyre instrumenteve dhe sot mund të diskutojmë në detaje  edhe të tjera dhe proceset se si do i avancojmë, por një nga instrumentet  është padiskustim që taksa 6% që duhet të zbatohet për të gjithë operatorët turistikë, e kam fjalën për TVSH-në, tatimin mbi vlerën e shtuar. Ky instrument së bashku me një mbështetje të fuqishme financiare, me një paketë financiare dhe fiskale për të mbështetur kualifikimin e fuqisë punëtore, kualifikimin e rikualifikimin e fuqisë punëtore. Për të tërhequr në bashkëpunim me ju dhe drejt bashkëpunimit me ju, agjencitë më të mëdha, operatorët më të mëdhenj turistikë për të diversifikuar tregun në veçanti në ato zona, të cilat i kemi të paprekura ose pak të prekura dhe që kanë një potencial të madh. Këto nuk do të jenë më thjesht objektiva individuale apo të shoqatave të ndryshme të sektorit, por do jenë objektiva të përbashkëta të qeverisë së ardhshme dhe të gjithë sektorit nga operatori individual te shoqatat e sektorit me të cilat dialogu do të jetë i përhershëm dhe vendimmarrja do të jetë transparente. Deklarimi i këtij sektori si një prioritet kombëtar nuk vjen thjesht dhe vetëm për një parullë apo slogan, se me slogane, me parulla e me premtime bosh edhe ju si çdo kujt tjetër i ka ardhur në majë të hundës këto 8 vite”, u shpreh ndër të tjera Basha.