Bayern Munchen në përballje me Tigres për të “pushtuar” botën

bayern 600x338

Pasi fitoi gjithçka që një klub mund të fitojë brenda një sezoni në Evropë, Bajern Mynih është gati të mbyllë në mënyrë perfekte kapakun e një sezoni që përtej vështirësive me pandeminë, ishte i jashtëzakonshëm.

Kampionët gjermanë kërkojnë të vendosin në vitrinën e tyre të trofeve, edhe atë të Botërorit të Klubeve me të cilin do të vendoste hegjemoninë edhe në rang global. Për të arritur diçka të tillë, Bajern duhet të kalojë skuadrën meksikane të Tigres që ka zënë vendin tjetër të kësaj finaleje.

Në dukje, është një mision i thjeshtë për bavarezët nëse do krahasohen nivelet e të dyja skuadrave. Edhe statistikat favorizojnë gjermanët, pasi në dekadën e fundit, skuadra që ka fituar Champions ka triumfuar edhe në Botërorin e Klubeve me përjashtim të finales së 2012 kur brazilianët e Korinthias eliminonin Chelsean.

Gjithsesi, klubi meksikan i Tigres është maksimalisht i motivuar, edhe për faktin se është ekipi i parë i konfederatës amerikano-qendrore që arrin kaq larg në këtë turne dhe do të kërkojë të impresionojë në këtë mënyrë edhe kampionët e Evropës.