“Brenda 15 korrikut maturantët do të kenë në duar diplomat”, Kushi: Ja si do të zhvillohet testi

Brenda datës 15 korrik të gjithë maturantët do të kenë në duar diplomat e tyre. Ministrja e Arsimit Evis Kushi deklaroi këtë në studion e Ditari në A2 CNN, se rezultatet e provimeve do të dalin deri më 300 qershor kurse të gjithë ata nxënës që duan të studiojnë jashtë, do të marrin diplomën më 5 korrik.

“Edhe datat e shpalljes së rezultateve do të jenë më shpejtë. Deri më 30 qershor maturantët do jenë njohur me vlerësimet e tyre dhe diplomat do t’i marrin në kohë rekord. Ata që duan të konkurrojnë jashtë brenda datës 5 korrik të gjithë do të kenë në duar diplomat e tyre, kurse të tjerët deri në datën 15 korrik”.

Ministrja sqaroi testi i maturës shtetërore do të përmbajë 60 pikë, nga këto 20 pikë me alternativa dhe 40 me zhvillim. Sipas saj kjo bëhet për të vlerësuar më korrekt nxënësin, ndërkohë që ky vendim është konsultuar me të gjitha palët e prekura.

“Në MAS komiteti i Maturës Shtetërore e ka përfunduar rregulloren e përgjithshme me udhëzimet e detajet sesi do zhvillohen provimet e maturës. Testi do të përmbajë 60 pikë, por në ndryshim nga viti i kaluar do të jenë  20 pikë me alternativa dhe 40 pikë do të jenë pyetje me zhvillim. E kemi marrë këtë vendim nisur nga kërkesat e vetë maturantëve, mësuesve dhe specialistëve. Se vlerësimi është ëm korrekt dhe bën diferencën mes nxënësve të mirë e shumë të mirë. Duke u konsultuar me të gjitha palët e interesit, ndërkohë që një vendim i rëndësishëm ka qenë edhe mënyra si do të korrigjohen, se pyetjet me alternativa korrigjohen me skanim në mënyrë elektronike, kurse pyetjet me zhvillim do të vlerësohen nga mësuesit e specializuar e certifikuar ndër më të mirët që kemi. Jo çdo mësues do të jetë vlerësues”.

E pyetur nëse do të zhvillohen provimet e klasave të pesta dhe të nënta, Kushi theksoi se deri më tani janë për po, por kjo do të varet nga dinamika e situatës së pandemisë.

“Provimet e klasave të pesta e të nënta deri tani jemi për t’i zhvilluar, por në varësi të dinamikës së pandemisë mund të marrim vendim tjetër”.

Duke folur për zhvillimin e mësimit ciklin fillor, Kushi theksoi se mësimi online për ta është opsioni i fundit, pasi përpjekjet në të gjitha vendet janë që të jenë në bankat e shkollës.

“Ne i kemi përgatitur të gjithë skenarët, por vendimi varet nga dinamika e situatës së pandemisë dhe autoriteti kryesor është Komiteti i Ekspertëve, por ky është opsioni i fundit se edhe në vende të tjera, për shkollat e ciklit fillor përpjekjet janë që të jenë në bankat e shkollës. Ka shumë prindër dhe qytetarë që shqetësohen në lidhje me situatën, por ka edhe të tjerë që na kërkojnë që të mos mbyllen. Jo të gjithë janë të të njëjtit mendim”.

Ministrja u sugjeroi shkollave të mesme që të shfrytëzojnë akademi.al dhe kanalin e dedikuar në RTSH shkolla.