CDC: Mbajtja e dy maskave ofron më shumë mbrojtje nga koronavirusi

Untitled collage 38 1100x620

Vendosja e dy maskave ofron më shumë mbrojtje nga koronavirusi, tregojnë të dhënat e reja të Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Studiuesit thanë se përdorën koka artificiale të vendosura afro dy metra nga njëra-tjetra për eksperimentin dhe vunë re se një maskë kirurgjikale apo maskë pëlhure, bllokon 40% të grimcave të koronavirusit. Por, një maskë pëlhure e vënë mbi një maskë kirurgjikale mund të bllokojë 92.5% të grimcave potencialisht infektive.

“Këto të dhëna eksperimentale përforcojnë udhëzimet paraprake të CDC që të gjithë personat mbi 2 vjeç duhet të mbajnë një maskë kur janë në publik dhe rreth të tjerëve”, tha drejtoresha e CDC, dr. Rochelle Walensky, në një konferencë në Shtëpinë e Bardhë.

Studimi gjithashtu zbuloi se kur të dyja burimet, një i infektuar dhe një i painfektuar kishin maska të dyfishta, ekspozimi nga aerosolet, potencialisht infektive, u zvogëlua me 96.4%.

Megjithatë, sipas autoriteteve studimi i ri nuk ndryshon rekomandimet për përdorimin e maskës.

“Unë dua të jem e qartë se këto të dhëna të reja shkencore të lëshuara sot nuk ndryshojnë rekomandimet specifike rreth asaj se kush duhet të mbajë një maskë, ose kur ata duhet të mbajnë një. Por ato ofrojnë informacion të ri se pse të përdorësh një maskë të përshtatshme është kaq e rëndësishme për të mbrojtur ty dhe të tjerët”, tha Walensky.

Një sondazh i Axios-Ipsos zbuloi se 72% e amerikanëve thonë se mbajnë maskë në çdo kohë dhe kudo që ndodhen.