Drejtuesit politik të Kosovës në fushatë, të bindur për fitore

Kosova është gati për zgjedhjet e 14 shkrurtit. Kudo në kryeqytetin Prishtinë janë vendosur banerat e partive kryesore dhe kandidatëve për kryeministër.

E ndërsa partitë kryesore vijojnë fushatën në terren, në takime me elektoratin, ajo çka bie në sy është pjesëmarrja në kundërshtim me masat anti-covid, ku edhe vetë liderët shfaqen pa maska e pa distancë sociale, ku nuk mungojnë as përqafimet e shtrëngimet e duarve.

Kryeministri Avdullah Hoti, që kërkon një tjetër mandat për të ecur përpara me reformat e ndërmarra muajt e fundit, shprehet i bindur në fitore: “Mendoj se ne do të fitojmë të dielën, do të jetë një fitore e madhe. Ne do të vazhdojmë me politikat tona për integrimin europian, do t’i përfundojmë këtë vit liberalizimin e vizave, do të përmbyllim marrëveshjen me Serbinë për njohjen reciproke, ashtu siç konfirmoi edhe Presidenti i sapozgjedhur amerikan”.

Nga Mitrovica, edhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, shprehet i bindur për fitoren e padiskutueshme të Vetëvendosjes më 14 shkurt dhe thotë se këtë e pret së pari, nga vota e diasporës.