“E kanë në dorë votuesit nëse Tom Doshi do të jetë apo jo në Parlament”

kikia krasniqi dervishi 1100x620

Mentor Kikia mendon se vetëm votuesit mund të vendosin nëse Tom Doshi do të jetë apo jo pjesë e Parlamentit. Në një postim në Tëitter, ambasadorja amerikane Yuri Kim tha sot se ka marrë sigurinë nga kryeministri Edi Rama, që Tom Doshi nuk do të jetë pjesë e qeverisë së tij.

“Ajo duket e kënaqur me premtimin e Ramës që Doshi nuk do të jetë faktor formues në qeveri. Tani duhet të presim se sa do të arsyetojnë votuesit dhe sa do t’ia japin votën. Ligji nuk e ndalon Tom Doshin që të kandidojë. Ambasadorët po bëjnë më shumë sesa mund të bëhet në një vend sovran. Unë jam i kënaqur që kemi këtë lloj tutele mbi krye, që na detyron të paktën të diskutojmë publikisht këto çështje. Ambasadorja u ka thënë të gjithëve se ky person nuk është i përshtatshëm për të qenë deputet. Rama nuk e pengon dot, ligjërisht nuk pengohet dot, kështu që tani është në dorë të votuesve nëse do të jetë apo jo në Parlament”, deklaroi Kikia.

Por, analisti i A2, Afrim Krasniqi, mendon se votuesit e kanë në dorë vetëm në kushtet e një demokracie funksionale.

“DASH ka dalë me një listë me dy politikanë që janë shpallur “non grata” në SHBA. Modele si zoti Doshi kanë qenë shumë më afër qytetarëve sesa politikanë të tjerë, kështu që kandidatura si ajo e zotit Doshi kanë mbështetje në zona të caktuara. Për Tom Doshin, në dallim nga individët e tjerë, nuk ka asnjë akuzë konkrete”.

Sipas Lutfi Dervishit, “tani duhet parë nëse do të ketë garë në zonat ku kandidon Tom Doshi, apo do të hapë krahun Partia Socialiste”.

“Ambasadorja nuk do të tërhiqet nga kjo çështje dhe nuk do të pranojë të sfidohet”, theksoi Dervishi.