Greqia drejt karantinës kombëtare, izolimi nisi me Athinën, për 2 javë shtrihet në mbarë vendin

Shifrat e fundit detyruan qeverinë e Athinës, që ta rikthejë vendin në një karantinë të dytë. Nga kjo e enjte, çdo biznes në Athinë do të qëndrojë mbyllur, së paku për dy javë.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotaik paralajmëroi se ajo që nisi me Athinën, për dy muaj, do të vijojë në të gjithë vendin.

“Nuk do fsheh asgjë. Përgjatë 2 muajve në vijim, në të gjithë vendin do të vendosen masa më të ashpra izolimi, në varësi të nivelit të alarmit. Ky do të jetë guri i fundit që do të përdorim deri kur të çlirohemi nga virusi”, deklaroi ai.

Athina do të mbyllet, fillimisht deri më 28 shkurt. Maskat mbrojtëse do të mbahen në çdo ambient publik me detyrim. Shtetrrethimi në kryeqytet do të nisë nga ora 9 e mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit, ndërsa në fundjavë orari zgjatet, nga ora 6 e pasdites deri në 5 të mëngjesit.

Çdo qytetar do të duhet të marrë leje për të lëvizur përtej këtij orari, vetëm për vizita mjekësore apo për ilace në farmaci. Marketet dhe furrat e bukës, si të vetmet aktivitete që do të qëndrojnë hapur, do të punojnë deri në orën 20 të mbrëmjes. Dyqanet e luleve do të lejohen vetëm për festën e Shën Valentinit. Ndërsa baret e restorantet nga sot janë mbyllur. Edhe mësimi do të vijojë online, për një kohë të papërcaktuar.