Negociatat e PD-së me aleatët, Krasniqi: Po investohet me diçka që nuk ka interes për opinionin publik

Analisti i A2, Afrim Krasniqi, në një lidhje me studion e “Absolut 4”, komentoi negociatat e Partisë Demokratike me aleatët e saj, duke u shprehur se “bëhet fjalë për siguri personale të individëve të caktuar për mandate parlamentare”.

“Unë mendoj që bëhet fjalë për siguri personale të individëve të caktuar për mandate parlamentare. Është e habitshme që, kur në kohën që duhet të kishte programin dhe listën e kandidatëve gati, investohet me diçka që nuk ka interes për opinionin publik. I vetmi debat me rëndësi për aleancën është raporti me LSI-në, jo me aleatët e tjerë të vegjël. Ne po shohim të njëjtat figura që kemi parë 20-30 vjet. Nuk po negociohet për të futur figura të reja. Po negociojnë për të siguruar vend për njëri-tjetrin. Ai apeli për integritet vlen edhe për opozitën. Nuk e ka luksin opozita që të riciklojë figura të konsumuara të së kaluarës. Po shpenzohet kohë me aktorë që janë konsumuar politikisht”, deklaroi Krasniqi.

Sipas gazetarit Mentor Kikia, “bisedime kaq shumë të gjata dhe nervoze zakonisht zhvillohen pas zgjedhjeve”.

“Në këtë fazë paraprake, kur PD-së i duhet të mbledhë sa më shumë aleatë, nuk besoj se po diskutohen copat e pushtetit, por hierarkia në lista”, nënvizoi Kikia.

Ndërkohë, analisti Lutfi Dervishi theksoi se “Partia Demokratike po humb kohë me këto diskutime me aleatët, kohë që nuk kthehet më”.