Premtimi i Ramës për Yuri Kim, Kikia: Tom Doshin nuk e pengon asgjë. Krasniqi: Përpjekje për të fituar kohë

11 SHKURT 4 ABSOLUT PJ 1 PGM frame 15431 1100x620

Deklarata më e fundit e ambasadores Yuri Kim, se ka marrë premtim nga Rama për të mos bashkëpunuar me Tom Doshin pas zgjedhjeve të 25 prillit për të formuar qeverinë, është diskutuar në studion e Ditari në A2 CNN, mes analistëve dhe gazetarëve. Në këndvështrimin e tij Mentor Kikia thotë se ambasadorja u mjaftua me faktin që Doshi nuk do të jetë një aleat paszgjedhor, ndërkohë që deklaratat e kryeministrit për respektim të ligjit, i sheh si përpjekje që Tom Doshin nuk e pengon asgjë.

“Ky ishte akti i fundit i këtij dueli dhe apeli i vazhdueshëm për të hequr njerëzit e inkriminuar nga lista. Mendoj që kjo punë përfundon derisa partia PSD u regjistrua në zgjedhje, për të garuar në zgjedhjet e 25 prillit dhe ambasadorja u mjaftua që Doshi nuk do të jetë një aleat paszgjedhor.

Ka një gjë që duhet theksuar në këtë histori se në parlamentin e kaluar pati shumë deputetë që dolën me pranga në duar dhe gjithë apelet e drejtuara ndaj kryeministrit ai iu përgjigj që “unë shikoj ligjin” dhe ligji nuk e pengon Doshin të kandidojë. Deklaratën e Ramës që unë respektoj ligjin sot e shoh ndryshe, e shoh si një përpjekje që Tom Doshin nuk e pengon asgjë”.

Ndërkohë premtimin e Ramës ndaj ambasadores amerikane, analisti Krasniqi e sheh si një përpjekje për të fituar kohë, nisur edhe nga reagimet perëndimore dhe hetimet në Itali.

“Është një zhvillim në proces, nuk ka vendimmarrje finale, është korrekte që kandidati ka të drejtën për të konkurruar, është kërkuar shumë më tepër se dekriminalizimi, është kërkuar për kandidatë me integritet. Ai ka qenë një nga miqtë e Ramës, vëllai i kryeministrit ishte në mbrëmjen e fundit me zgjedhësit. Ajo që kryeministri ka thënë është përpjekje për t’i ikur një konflikti më të gjerë me Perëndimin. Mazhoranca ka shkelur parimet e dekriminalizimit. Një sërë reagimesh perëndimore dhe hetimet në Itali kanë bërë që kryeministri të japë këtë premtim që nuk është asgjë. Është përpjekje për të fituar kohë”.

Ndërkohë gazetari i A2 CNN, Ervin Koçi thotë se ka një kontradiktë mes kryeministrit dhe ambasadores, për rolin e Tom Doshit pas 25 prillit, pasi partia e tij është në koalicion me mazhorancën.

“Ka një kontradiktë mes kryeministrit dhe ambasadores për rolin e Tom Doshit pas 25 prillit. Doshi drejton një parti që është në koalicion me PS. Është partia e dytë e mazhorancës, ligjërisht është një aleat i kryeministrit dhe fakti që nuk do të ketë bashkëpunim në të ardhmen ata janë bashkë”.