Ringritja ekonomike, BSH: E dobët, në fund të vitit të kaluar, prej masave

Fundi i vitit të kaluar shënoi nisjen e rikuperimit të ekonomisë, por përkeqësimi i situatës së pandemisë dhe riprezantimi i kufizimeve kanë frenuar këtë rimëkëmbje.

Nxitja e rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe kthimi i inflacionit në objektiv do të kërkojë kohë dhe politika ekonomike nxitëse. Ky është bilanci që bën Banka e Shqipërisë në Raportin e Politikës Monetare për tremujorin e parë të këtij viti.

“Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ruajë kahun stimulues të politikës monetare, duke mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 0,5% dhe duke sinjalizuar gatishmërinë tonë për të mbajtur kushte monetare stimuluese edhe gjatë dy viteve në vazhdim.”

Megjithë përmirësimin në fund të vitit të kaluar, ritmi i rritjes së punësimit, pagave dhe marzheve të fitimit kanë qenë të pamjaftueshme për të nxitur kërkesën dhe investimet private.

Në vijim, Banka qendrore vlerëson se rreziqet që i kanosen ekonomisë janë të shumta, pavarësisht zhvillimeve të fundit me procesin e vaksinimit. Krahas pandemisë dhe mutacioneve të virusit, ato përfshijnë tendencën e familjeve shqiptare për të mbajtur kursime, realizimin më të ngadaltë të programit të rindërtimit, apo ndryshimet strukturore që mund të sjellë pandemia.