Shkeli masat anti-covid, gjobitet me 5 mln lekë Endrit Braimllari. Sekretari i LSI: Edhe PD e PS kanë zhvilluar aktivitete

braimllari 1100x620

Endrit Braimllari, sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, është gjobitur me 5 milionë lekë, pasi organizoi aktivitet politik në Maliq në kundërshtim me Aktin Normativ për marrjen e masave parandaluese, për përhapjen e COVID-19.

Njëkohësisht është ndëshkuar me masë administrative 1 milion, edhe administratorja e lokalit, e cila lejoi zhvillimin e këtij aktiviteti.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, pas konstatimit në rrjetet sociale se përfaqësuesi i një subjekti politik konkretisht shtetasi E. B., kishte organizuar dhe zhvilluar në ambientet e një lokali në qytetin e Maliqit, një aktivitet duke krijuar grumbullime personash në kundërshtim me Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, Neni 3, pika 2, e kanë ndëshkuar me masën administrative 5.000.000 lekë. Gjithashtu është ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, shtetasja Z. B., pasi lejoi zhvillimin e aktivitetit në ambientet e lokalit që ajo administron, duke shkelur Aktin Normativ. Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon për të gjithë qytetarët, pronarët dhe administratorët e lokaleve, që të respektojnë me korrektësi masat anticovid për të bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital cilindo që nuk respekton këto masa kufizuese duke u kthyer në burim rreziku për qytetarët”, njofton policia.

Ndërkohë, i kontaktuar nga A2, Braimllari është shprehur se nuk ka dijeni zyrtare me shkresë për gjobën. Ai thekson se janë bërë aktivitete politike dhe nga PD dhe PS në Maliq, por askush nuk është gjobitur. Ai thotë se ka zbatuar rregullat pasi të gjithë kanë qenë të pajisur me maska.