Studentët grekë në protestë kundër ligjit të policisë universitare

studentet greke 1100x620

Studentët grekë kanë protestuar në të gjithë vendin kundër një ligji që do të krijonte një forcë policie universitare, e cila sipas tyre do të mbyste lirinë e shprehjes.

Legjislacioni i propozuar nga partia në qendër të djathtë Demokracia e Re dhe që do të miratohet nga parlamenti të enjten, synon të reformojë sistemin arsimor. Ligji planifikon krijimin e një force speciale policie universitare të autorizuar për të ruajtur kampuset dhe arrestimin e atyre që konsiderohen ngatërrestarë, si dhe një “këshill disiplinor” në gjendje të pezullojë ose përjashtojë studentët.

Mbështetësit e reformës argumentojnë se universitetet greke janë rrënuar prej kohësh nga dhuna dhe ata kundër saj kanë frikë se kjo do të pengojë lirinë e shprehjes.

“Problemi i dhunës në universitetet greke është i përjetshëm. Policia do të dëbojë grupet ekstremiste politike dhe do të ruajë infrastrukturën, duke e bërë më në fund universitetin një vend të sigurt”, u shpreh një zëdhënës i Ministrisë për Mbrojtjen e Qytetarëve.

Shumë momente të errëta në historinë e fundit të Greqisë kanë ndodhur në universitete dhe shkolla. Në 1973, tanket e juntës greke ose “Regjimi i Kolonelëve” që ranë një vit më vonë,  përfunduan me dhunë zaptimin studentor të Politeknikut të Athinës, ku mbetën të vrarë 26 persona.