Tha se gratë flasin shumë, “e pëson” kreu i komitetit të Lojërave Olimpike të Tokios

Untitled collage 42 1100x620

Kreu i komitetit organizues të Lojërave Olimpike të Tokios, Yoshiro Mori, do të japë dorëheqjen pasi u kritikua se bëri disa komente “të papërshtatshme” për gratë.

83-vjeçari Yoshiro Mori, u shpreh se gratë flasin shumë dhe se takimet me drejtoreshat e bordeve femra do “të merrnin shumë kohë”.

Komentet shkaktuan shumë reagime dhe asokohe Mori kërkoi falje, por tha se nuk do të jepte dorëheqjen. Sidoqoftë, presioni mbi ish-kryeministrin japonez u rrit ndjeshëm dhe pritet që ai të largohet zyrtarisht në një takim të komitetit të veçantë të premten.

Sponsorë të mëdhenj kanë kritikuar komentet, përfshirë Toyotan, një nga mbështetësit më të mëdhenj financiarë të Olimpiadës.

Bordi i komitetit të Lojërave Olimpike aktualisht ka 24 anëtarë, pesë prej të cilëve janë gra. Në vitin 2019, komiteti i vuri vetes qëllim për të rritur numrin e drejtoreve të bordeve femra në 40%.