101 vite Tirana kryeqytet, ekspozita që na rrëfen Tiranën, qytetin që nuk ekziston më

60 fotografi të vjetra të Tiranës ekspozohen në kalanë e kryeqytetit. Shihet se shumë nga ndërtesat dhe lagjet e Tiranës nuk janë më njëlloj. Kryeqyteti ka ndryshuar. Shumë pak ka mbetur nga imazhi i atyre që këto fotografi i ruanin me fanatizëm. Dhe kjo ekspozitë ka marrë jetë në Kalanë e Tiranës, aty ku një nga përfaqësueset e familjes Toptani e feston kështu artistikisht ditën e kryeqytetit.

“101-vjetorin e Tiranës vendosëm ta kremtonim përmes kësaj ekspozite ku shfaqen imazhet e vjetra të kryeqytetit, para vitit 1945. Këtu tregohet një pjesë e historisë së tij, me ndërtesat historike me funksion publik, banesat e Tiranës, ngjarje dhe personazhe”, u shpreh Ardit Bido, drejtori i Arkivit të Shtetit.

Nuk mungojnë në këto stenda edhe kartolinat apo objektet autentike të ruajtuara nga koleksionistët, por edhe familjet e vjetra tiranase.

Ashtu sikurse nuk mungoi në këtë çelje të ekspozitës edhe kritika për atë çka i ka ndodhur këtij metropoli, që ndonëse kërkon zhvillim të jetës edhe në arkitekturë, kërkon më shumë respekt për të shkuarën.

“Shumë nga këto fotografi që ne shohim sot kanë mbetur thjesht fotografi pasi thuajse asgjë prej tyre nuk ekziston. Kjo është jo vetëm një ditë kujtese, por edhe një moment për të bërë thirrje që të ruajmë atë që ende ka mbetur në kryeqytet”, u shpreh Mirela Bogdani, kryetare e Shoqatës “Tirana Intellectum”.

Ekspozita do të qëndrojë e çelur për disa ditë në Kalanë e Tiranës, në hapësirën publike të ekspozitave për cilindo që dëshiron të shohë Tiranën siç ka qenë, përmes fotografive, por edhe objekteve autentike.