Berisha: Drejtësia e re e ndërtuar mbi racizmin krahinor dhe në shërbim të partisë

Sali Berisha ka lëshuar akuza të ashpra ndaj institucioneve të reja të drejtësisë të ndërtuara, dhe atyre që po ndërtohen pas procesit të vetingut, duke e konsideruar drejtësinë e re si të ndërtuar mbi racizmin krahinor dhe në shërbim të partisë.

Ai komentoi dhe arrestimin e gjykatëses së Krujës nga SPAK, por nuk e konsideroi atë një sukses të madh, duke shtuar se politikanët kanë prekur mekanizmin elektoral dhe nuk kanë hasur asnjë problem me drejtësinë.

“Kam votuar ndryshimet e reformës me shpresën se qytetarët do të merrnin drejtësinë që meritojnë, por u kalua në drejtësinë e partisë. Sot, përzgjedhja për shkak të vetingut nga lart-poshtë, përzgjedhja është politike, siç dëshmoi Komisioni i Venecias, në raportin e tij për reformën.

Duke mbështetur çdo akt të zbatimit të ligjit, nuk mund të pranoj si sukses të madh dënimin e një gjykatëseje që e meriton plotësisht, e cila është po aq kriminele sa kriminelët që ka liruar, në një kohë kur politikanët i kanë prekur këtij vendi mekanizmin elektoral, kalojnë nga SPAK-u pa i hyrë “ferra në këmbë”. Drejtësia është ndërtuar e gjitha mbi racizmin krahinor, mbi parimin ideologjik të drejtësisë për partinë”, u shpreh Berisha.