Berisha: Fatos Nano të sqarojë takimin me Millosheviçin në Kretë, avulluan një shishe uiski

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ndaj Fatos Nanos, i cili pak ditë më parë u shpreh se ish-kreu i PD është fajtor për problemet që ka kaluar Shqipëria.

Për Berishën, Fatos Nano doli si një papagall i Edi Ramës. “Keqardhje që doli si një papagall i Ramës, por bëri zgjedhjen e tij. Nuk mund të komentoj më shumë. Për mua, i trishtë ishte fakti që ai mbante pikëpamjet e etërve të tij për opozitën, së bashku me Ramën, Ramiz Alinë, tmerri konsiderohej opozita, por këto janë koncepte strikte marksiste-leniniste”.

Më tej, ai kërkoi nga Nano të sqarojë një takim, të pretenduar nga Berisha, mes tij dhe Sllobodan Millosheviç në Kretë.

“Theksoj se ai duhet t’u japë një përgjigje shqiptarëve, duhet të sqarojë takimin 90 minuta me Millosheviçin në Kretë. Këtë jam përpjekur t’ia çoj edhe nëpërmjet të tjerëve, të tregojë çfarë ishte ai takim kur shqiptarët përjetonin vuajtjet nga serbët në Kosovë. Kanë avulluar një shishe uiski së bashku.

Për dinjitetin e tij që ka qenë kryeministër, duhet t’u tregojë shqiptarëve për atë takim dhe të mos dalë nga arkivat e Beogradit”, tha Berisha.