Dita e fundit e fushatës, analistët: Këto zgjedhje sjellin një klasë të re politike

Në ditën e fundit të fushatës elektorale, partitë politike nxituan të takojnë mbështetësit, për të kërkuar edhe një herë votën për zgjedhjet e 14 shkurtit. Mes tyre, ka edhe nga ata që kanë udhëtuar drejt Kosovës, vetëm për të votuar.

Mbështetësit e kanë pasur të vështirë të respektojnë masat anti-covid, sidomos nëpër qytetet kur takimet mbahen në ambientet jashtë. Qindra mbështetës e presin Albin Kurtin në Istog, ku nuk mungojnë as flamujt amerikanë.

Ajshe Uka, aktiviste: “Zgjedhjet e 14 shkurtit janë shumë të rëndësishme. Ato do të jenë një referendum kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Synimi ynë është të anëtarësohemi në Bashkimin Europian”.

Ka nga ata që vlerësojnë faktin se këto zgjedhje do të jenë ndryshe, larg politikës së vjetër. 

Nexhmedin Spahiu, profesor: “Këto zgjedhje do të ndryshojnë klasën politike të Kosovës. Ata që kanë udhëhequr Kosovën përgjatë 20 viteve të fundit, do të mbeten jashtë nga jeta politike dhe tashmë do të shohim politikanë të rinj”  

Ramush Haradinaj ka zbritur çdo ditë në terren, në takime me elektoratin, edhe pse pas 14 shkurtit aspiron postin e presidentit e jo më atë të kryeministrit, si dy vite më parë.

Ramush Haradinaj kandidat për president: “Kemi një vizion strategjik se ku duam të jemi. Duam të jemi pjesë e strukturës euro-atlantike, pjesë e politikave globale. Ndaj synojmë të bëhemi pjesë e NATO-s. E dimë që Serbia po flirton me Rusinë dhe të tjerë, por për ne është e qartë, dua anëtarësimin në NATO. Perspektiva jonë është Bashkimi Europian. Të dyja këto vijnë së bashku. Ne s’do ta mbajmë veten peng të Serbisë përgjithmonë. Kjo do të thotë se po shohim edhe opsione të tjera. Një prej tyre është edhe ideja e një referendumi për bashkimin me Shqipërinë”.

Naim Rashiti, analist: “Mendoj se qeveria e re do të gëzojë një mbështetje të gjerë dhe mendoj po ashtu që Vetëvendosje do të fitojë. Nuk kanë rëndësi numrat se sa, por mendoj se do sigurojë më shumë vota se në 2019. Votuesit presin ndryshime të mëdha, nisur nga institucionet, qeverisja, lufta kundër korrupsionit dhe ekonomia. Qytetarët presin rifillimin e dialogut me Serbinë, liberalizimin e vizave, marrëdhënie me partnerët ndërkombëtarë dhe në veçanti me Bashkimin Europian”.