Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Drejt mbylljes “famëkeqi” Guantanamo

Nga A2 CNN
12 Shkurt 2021, 17:26 | Bota

Historia e një prej burgjeve më të përfolur të dekadave të fundit mund të jetë tashmë në epilogun e tij. Sipas burimeve të afërta me Shtëpinë e Bardhë, të mbështetura edhe nga zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Emily Horne, “po ndërmerret një proces vlerësimi për çështjen e burgut ushtarak të Guantanamos, në ishullin e Kubës, në kuadër të objektivit madhor të mbylljes së tij”.   

Në këtë mënyrë, administrata Biden kryen një ndryshim të politikave nga presidenti i kaluar, Donald Trump, që gjatë 4 viteve në pushtet mbajti hapur burgun, pavarësisht protestave të organizatave të drejtave të njeriut.

I hapur nga George W. Bush në territorin e ishullit të Kubës, ku nga viti 1903 ndodhet një bazë amerikane, burgu ushtarak i Guantanamos u ndërtua pas atentateve të 11 shtatorit, pasi u mblodhën aty disa prej personave të akuzuara për mbështetje të Al Qaedës së Osama Bin Laden.

Tepër sekret dhe me kontakte shumë të kufizuara të burgosurve me personat e tyre të afërm, burgu simbolizoi me vite qasjen e ashpër të administratës amerikane ndaj terrorizmit, ku nuk munguan edhe metoda hetimi të cilësuara nga organizatat ndërkombëtare si tortura të mirëfillta.

Aktualisht, ende 40 të burgosur ndodhen në Guantanamo, pa afat dënimi, ndërkohë që për disa prej tyre, pas dy dekadash, ende nuk është  finalizuar një akuzë e mirëfilltë.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu