Itali, Mario Draghi do të jetë kryeministri i ri, qeveria “betohet” nesër

a8c86369 7bc3 44e7 91f5 a65b5f6ca396 1100x620

Mario Draghi do të jetë kryeministri i ri i Italisë. Ish-kreu i Bankës Qendrore Europiane do të betohet përballë presidentit Sergio Mattarella, ditën e nesërme në mesditë.  

Draghi ka arritur të gjejë numrat që i duhen për të marrë votëbesimin në Parlament, pas mbështetjes së Lëvizjes 5 Yje, Partisë Demokratike por edhe Forca Italia të Silvio Berlusconit dhe Legës së Matteo Salvinit.

Ndërkohë, Draghi ka bërë të ditur edhe ministrat që do të përbejnë ekzekutivin e tij, i mbështetur pothuajse nga të gjitha forcat politike nga e majta e Partisë Demokratike deri tek e djathta e Salvinit, me përjashtim të Fratelli d’Italia. Ministrat do të jenë 23, 15 figura politike, që përfshijnë një spektër të gjerë dhe pothuajse të paprecedent në historinë italiane, dhe 8 do të jenë “teknikët”.

Ministër i Jashtëm do të mbetet Luigi Di Maio, lideri i Lëvizjes 5 Yje, ndërkohë që ministria e Ekonomisë, e rëndësishme në një periudhë krize si ajo që po përjeton vendi,  do drejtohet nga një prej personave më të besuar të Draghit, ekonomistit Daniele Franco. Nuk mungojnë personalitete të tjera ndërkombëtare të ekonomisë, si Vittorio Colao, ish-CEO i Vodafone,  i emëruar ministër i Inovacionit Teknologjik.

Mbështetja e Berlusconit është e qartë edhe me rikthimin e disa prej ish-ministrave të tij, si Mara Carfagna, Maria Stella Gelmini dhe Renato Brunetta. Ministria e Brendshme mbetet në duart teknike të Luciana Lamorgese, një nga figurat e respektuara të administratës publike.