Kalon për gjykim dosja 184, pushohet çështja për Dionis Imerajn

breaking news lajmi i fundit e1612366439553 1100x620

Kalon për gjykim dosja 184 me vetëm katër të pandehur, Robert Agën, Drini Gjecin, Nuri Meda dhe Hasan Hoti. Gjithashtu, është pushuar çështja për Dionis Imerajn dhe personat e tjerë.

Dosja e dërguar në Gjykatën e Dibrës, nga nëntë persona të hetuar, mes të cilëve ish-zyrtarë të lartë dhe biznesmenë, ka vetëm 4 të pandehur.

Sipas prokurorisë, pavarësisht së është provuar shitblerja e votave në Dibër, asnjë prej të hetuarve nuk do të mbajë përgjegjësi penale. Kjo për faktin se vepra penale është konsumuar në shtator 2016 dhe se ka skaduar afati 3-vjeçar i ndjekjes penale. Dosja në fjalë trazoi politikën, sidomos pas publikimit të disa prej përgjimeve të saj nga gjermania “Bild”.

Ndërkohë, prokuroria nuk ka gjetur prova që mund të penalizonin të kallëzuarit nga Partia Demokratike: Damian Gjiknuri, kryebashkiakun aktual të Dibrës, Dionis Imeraj dhe kryebashkiakun e Burrelit, Agron Malaj. Në dosjen e dërguar në gjykatë për zgjedhjet në Dibër, i pandehur është ish-shefi i Komisariatit të Policisë, Robert Aga. Ai akuzohet për “shpërdorim të detyrës”, pasi dyshohet se ka vënë punonjës të policisë në shërbim të kandidatit të majtë.

I pandehur tjetër i dosjes 184 është Nuri Mjeda, ish-administrator i njësisë administrative Tomin. Sipas prokurorisë, Mjeda ka “shpërdoruar detyrën”, duke përjashtuar nga ndihma ekonomike 39 familje, për shkak të përkatësisë së tyre partiake. I pandehuri Hasan Hoti, ish-administratori i Lurës, akuzohet për “kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve”, pasi dyshohet se ka kërcënuar disa votues të votonin për kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane.

Ndërsa i pandehuri i katërt, Drini Gjeci, ish-Drejtori Arsimor i Dibrës, do të përballet me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “kanosjes apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve”. Sipas prokurorisë, ai ka kanosur me shkarkim nga puna mësuesit në varësi që të votonin pro kandidatit të së majtës.

Në lidhje me shitblerjen e votës, ndonëse është provuar vepra penale, hetimi është pushuar për gjithë të hetuarit, përfshi të dyshuarit Imer Lala, i njohur dhe si Korab Lala, Arben Keshi, Bekim Krashi dhe Afrim Mikli.

Dosja 184 u transferua disa herë nga Prokuroria e Dibrës në Prokurorinë për Krimet e Rënda dhe ansajellas, derisa SPAK e dërgoi atë përfundimisht në Dibër. Zvarritja e hetimit u justifikua herë pas here me numrin e madh të CD-ve të përgjimeve që duheshin transkriptuar.