Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Kina ndalon transmetimin e BBC-së

Nga A2 CNN
12 Shkurt 2021, 08:30 | Bota
Kina ndalon transmetimin e BBC-së

Kina ka ndaluar transmetimin e kanalit prestigjioz britanik BBC World News, në vend. Lajmi u bë me dije nga Administrata Kombëtare Kineze për Radion dhe Televizionin, përmes një deklarate, më 11 shkurt.

“Administrata Shtetërore për Film, Televizion dhe Radio nuk lejon BBC-në që të vazhdojë transmetimin në Kinë, dhe nuk pranon aplikimin vjetor për transmetim”, është thënë mes të tjerash në njoftim.

Kina ka kritikuar BBC-në për raportimin e saj mbi koronavirusin dhe mbi trajtimin e çështjes së pakicës etnike të Ujgurëve.

Nga ana e saj, media britanike tha se ishte "zhgënjyer" nga vendimi.

 “BBC është transmetuesi më i besuar i lajmeve në botë dhe raporton nga e gjithë bota në mënyrë të saktë, të paanshme dhe pa frikë apo favorizim”, është thënë mes tjerash në komentin e zëdhënëses së BBC-së.

Njoftimi vjen vetëm disa ditë pasi autoriteti britanik i mediave, i ka refuzuar televizionit shtetëror kinez China Global Television Network (CGTN), licencën për transmetim.

Departamenti i Shtetit i SHBA-së dënoi vendimin, duke e quajtur atë pjesë të një fushate më të gjerë për të shtypur lirinë e medias në Kinë. Po ashtu, dhe Sekretari i Jashtëm britanik Dominic Raab e quajti masën një "kufizim të papranueshëm të lirisë së medias".

Marrëdhëniet midis Kinës dhe Mbretërisë së Bashkuar janë tensionuar ndjeshëm në muajt e fundit kryesisht mbi çështjen e Hong-Kongut. Në janar, Mbretëria e Bashkuar prezantoi një vizë të re që i jep 5.4 milionë banorëve të Hong-Kongut të drejtën për të jetuar në Britani, sepse beson se Kina po minon të drejtat dhe liritë e tyre.

A2 CNN Livestream

Dita jonë