Paralajmërimi i Moskës: “Sanksioneve të BE-së, i përgjigjemi me luftë”

Rusia është gati të ndërpresë çdo lidhje me Bashkimin Europian, në qoftë se blloku vendos sanksione të reja kundër Rusisë, që janë konsideruar edhe si sanksione të dhimbshme ekonomike. Vendimin e konfirmoi vetë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, duke paralajmëruar se Moska është gati për çdo hap. 

“Ne nuk duam ta izolojmë veten nga pjesa tjetër e globit, por duhet të jemi gati për këtë. Nëse ju doni paqe, atëherë përgatituni për luftë”.

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit janë tensionuar javët e fundit, pas arrestimit dhe dënimit të kritikut zyrtar të Kremlinit, Alexei Navalni, që nxiti mes vendeve të BE-së idenë e sanksioneve të reja ekonomike ndaj Rusisë. E duket se kjo nuk e ka gëzuar aspak Moskën zyrtare, e cila ka shqyrtuar rreziqet ekonomike që një vendim i tillë mund të sjellë. 

“Nëse biznesi do të sjellë benefite të përbashkëta për të dy palët, sigurisht që do të vazhdojmë. Por në qoftë se do të shohim vendosjen e sanksioneve që do të rrezikonin ekonominë tonë, sidomos sferat që për ne janë më të ndjeshmet, atëherë Bashkimi Europian do të duhet të përgatitet për luftë”.

Tre diplomatët europianë thanë se Bashkimi Europian po mendon të vendosë ndalimqarkullimin dhe të ngrijë asetet për aleatët e presidentit rus Vladimir Putin, duke nisur me shumë gjasë brenda muajit shkurt. Ky vendim është miratuar fillimisht nga Franca dhe Gjermania dhe pritet të gjejë konsensus mes të gjitha shteteve anëtare. Presioni u rrit gjatë javës së shkuar edhe pasi Moska përzuri diplomatët gjermanë, polakë e suedezë, pa informuar më parë shefin e diplomacisë europiane, në kohën kur ai ishte në Moskë.