Provimet nga shtëpia, universitetet zgjedhin online. Mjekësia, notat nga spitalet

Universitetet po shkojnë drejt provimeve online. Pas vendimit të Komitetit të Ekspertëve dhe me rendimin e situatës nga pandemia, pjesa më e madhe e shkollave të larta nuk do t’i kthejnë studentët në auditorë.

Burime nga universiteti më i madh, ai i Tiranës bëjnë të ditur se të gjithë fakultetet e tij, përfshirë dhe degët specifike të ekonomisë dhe shkencave të natyrës, provimet do t’i zhvillojnë online. Për të mos rrezikuar pedagogët dhe të rinjtë këtë periudhë, edhe Universiteti i Mjekësisë po sheh mundësinë e zhvillimit të provimeve në spitalet e rretheve nga janë studentët. Ndryshe nga degët e tjera, mjekësia 80% të lëndëve e ka praktikë në spital dhe pjesa tjetër teori.

“Do bashkëveprohet me Ministrinë e Shëndetësisë për të caktuar një mbikëqyrës klinik në spitalet përkatëse për t’i shpërndarë studentët. Mund të jenë dhe drejtorët e spitaleve që do t’i mbikëqyrin studentët sepse ata mund të ndihmojnë gjatë praktikës në përballimin e situatës së Covid-19”, tha Arben Gjata, rektor i Universitetit të Mjekësisë.

Rektori Gjata thotë se për studentët që nuk do të hyjnë në këto provime do të hapet një sezon i tretë. Por nëse do të ketë zgjatje të vitit akademik nga pandemia kjo do të varet nga ecuria dhe përhapja e virusit.

“Ne mund të kemi nevojë për 1-2 javë zgjatje të vitit akademik, por mund të bëhet edhe si vitin e kaluar që u shty më shumë se një muaj dhe hapja të bëhet sërish muaj më vonë. Por, varet si do jetë situata, janë skenarë të ndryshëm që nuk i llogarisim dot sot”, tha Gjata. Pak ditë më parë, pas propozimeve të universiteteve, Komiteti i Ekspertëve dhe Ministria e Shëndetësisë vendosi zgjatjen e sezonit të provimeve mbi 45 ditë, zhvillimin e tyre online ose në auditore me rregulla anti-covid, për ato degë që kanë specifika të veçanta.