Punimet për Unazën e Madhe, Policia njofton rrugët alternative për ditët me trafik të shtuar

Makina tirane trafik 1100x620

Policia e Shtetit ka informuar mbrëmjen e sotme qytetarë në lidhje me udhëzimet që duhet të ndjekin e mjeteve për të evituar trafikun tek ish-sheshi Shqiponja dhe në Unazën e Madhe.

Sipas Policisë, të hënën, të premten dhe të shtunën qytetarët që udhëtojnë nga jugu i Shqipërisë duhet të zgjedhin rrugë alternative Elbasanin, kurse ata nga veriu Paskuqanin, ndërsa ata nga Durrësi e Kavaja të zgjedhin rrugën dytësore Durrës-Tiranë dhe Ndroqit.

Policia Rrugore më vonë do të ketë edhe direktiva për rrugët e kryeqytetit.

Njoftimi i Policisë Tiranë

Nisur nga zgjerimi i hartës së punimeve tek ish sheshi “Shqiponja”, dhe përgjatë unazës së re, punime të cilat po zhvillohen njëkohësisht në të tre lotet e projektit të ri si nën nivelin e rrugës ashtu edhe në rrugë, kanë rritur ndjeshëm ngarkesën e trafikut në të gjitha rrugët që të çojnë drejt ish- sheshit “Shqiponja” si në hyrje ashtu edhe në dalje të kryeqytetit, duke vështirësuar shumë trafikun në terësi dhe veçanërisht mjetet e emergjencave mjekësore.

Me qëllim lehtësimin e lëvizjes për të gjithë përdoruesit e rrugës, në raport me hapësirën dhe infrastrukturën rrugore në zonën e kantierit të ndërtimit, e cila ditë pas dite, ngushtohet për shkak të punimeve dhe mjeteve të punës, policia rrugore e kryeqytetit, njofton se në ditët me ngarkesën me të madhe të trafikut, si ditën e hënë, ditën e premte dhe ditën e shtunë, qytetarët që udhëtojnë nga jugu i Shqipërisë duhet të zgjedhin si rrugë alternative drejt kryeqytetit Elbasanin, qytetarët që udhëtojnë nga veriu i Shqipërisë drejt kryeqytetit, duhet të zgjedhin si rrugë alternative Paskuqanin nepërmjet urës së re dhe Bulevardit të ri Zogu i parë, ndërsa qytetarët që udhëtojnë drejt kryeqytetit nga Kavaja dhe Durrësi, duhet të zgjedhin si rrugë alternative rrugën interurbane dytësore Durrës-Tiranë dhe anasjelltas përmes Ndroqit.

Rrugoret e kryeqytetit do të informojnë në vazhdimësi për vështirësitë dhe rrugët alternative që sugjerohen si dhe apelojnë  shumë kujdes dhe durim në trafik me qëllim shmangien e sjelljeve agresive që mund të jenë burim për aksidente rrugore si dhe të respektohet detyrimi për t’u  dhënë përparësi mjeteve të emergjencave mjekësore.