Talenti i Liverpool përfundon duke kërkuar ekip në Twitter

Jack Anthony Dunn është një i ri anglez, i lindur në Liverpul. Para 7 vitesh, ai debutoi me skuadrën e parë të qytetit të tij të lindjes, në një ndeshje miqësore.

Mesfushori u fut në fushë në përballjen e “The Reds” me Shamrock Rovers dhe madje arriti që të shënojë gol. Dunn ishte një nga talentet më të mëdha të ekipeve zinxhir të Liverpool, së bashku me Raheem Sterling. Por, në një kohë që Sterling është një nga yjet e futbollit botëror, 27-vjeçari nuk e pati fatin e shokut të tij të ekipit në atë kohë.

Sot, 27-vjeçari, i cili ka kaluar shumë dëmtime, po lufton ende për të qenë pjesë e një ekipi profesionist. Dunn është aktualisht në provë me ekipin e kategorisë së pestë angleze, Halifax Town. Interesant është fakti se ai e fitoi mundësinë e provës me anë të një njoftimi në Twitter, ku shprehte dëshirën për t’u rikthyer në fushë dhe kërkonte ndihmë nga kushdo që mund të njihte njerëz nëpër klube të ndryshme angleze.

Brenda disa javësh, Jack Anthony Dunn do të mësojë nëse do të rinisë një aventurë në futboll ose jo. Një gjë është e sigurtë, nuk do të ketë shokë ekipi lojtarë si Steven Gerrard apo Luis Suarez, me të cilët stërvitej kur ishte adoleshent.