Uji nuk kursen as xhaminë historike në Shkodër

Përveç dhjetëra banesave dhe sipërfaqeve të mëdha të tokës, uji në Shkodër nuk ka kursyer as xhaminë e Plumbit, duke e përmbytur.

Xhamia e “Plumbit” ose Xhamia e Mehmet Pashë Bushatit u ndërtua në vitin 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushati (Plaku), themeluesi i familjes së njohur të Bushatllinjve të Shkodrës.

Kjo xhami është një nga ndërtesat më të vjetra të Shkodrës dhe xhamia më e madhe dhe më e bukura e Shqipërisë deri në gjysmën e parë të shekullit XX, periudhë në të cilën filluan të ndërtohen xhami të dimensioneve të mëdha.

Xhamia ka qenë e veshur me plumb dhe nga kjo u quajt “Xhamia e Plumbit”, e me këtë emër njihet edhe sot. Xhamia e Plumbit në Shkodër është e vetmja xhami shqiptare, e përfshirë mes 50 objekteve më të bukura myslimane në botë.