Vjosa Osmani në CNN: Dialog me Serbinë, me kusht që të ketë drejtësi për viktimat në Kosovë

vlcsnap 2021 02 12 22h25m36s493 600x338

Vjosa Osmani, Presidentja në detyrë e Kosovës, në një intervistë për CNN, u shpreh se ajo dhe Albin Kurti do ta kenë vullnetin për të biseduar me Serbinë, me parakushtin që të ketë drejtësi për vrasjet që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës.

“Ka qenë një dekadë e vështirë për ne, por kemi arritur të kemi njohje të shumta. Jemi ulur në bisedime me Serbinë, duke mos lënë gur pa lëvizur. Nga ana tjetër, pavarësisht krimeve kundër popullit të Kosovës, Serbia i mohon dhe nuk ka kërkuar ndjesë. Ata po ecin përpara në rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian, kështu që unë mendoj se parakusht për ne është drejtësia për viktimat. Ne nuk duam hakmarrje, ne duam drejtësi si parakusht për pajtim. Kur të përfundojnë zgjedhjet, unë dhe z. Kurti do të shfaqim vullnetin për të biseduar me Serbinë, por do të themi të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Bota e ka parë të vërtetën e luftës. Ne duam të lëvizim përpara, sepse njerëzit tanë e meritojnë këtë, por parakusht që të vendoset paqja është që të vihet drejtësia”, u shpreh Osmani.

Osmani u pyet nga gazetarja e CNN edhe për ish-Presidentin Hashim Thaçi, i cili po përballet me Gjykatën e Hagës: “Ai është në Hagë, ne besojmë në drejtësinë ndërkombëtare dhe ne besojmë në të vërtetën e vetme: që Serbia ka kryer krime në Kosovë. Kosova do të presë që Gjyakta Speciale të përfundojë punën. Por, siç thashë, e vërteta nuk mund të ndryshohet, pasi ka ndodhur para syve të botës”.

E pytur lidhur me periudhën e luftës, Osmani ka treguar për periudhën e vështirë të viteve 1998-1999.