Akset e bllokuara nga dëbora, Meta: Ndihmoni qytetarët, Prokuroria të hetojë zyrtarët që i braktisën

Ilir Meta pse 1100x620

Presidenti Ilir Meta përmes një postimi në rrjetet sociale ka reaguar ndaj situatës së vështirë të krijuar nga reshjet e shumta të dëborës në vend, që kanë vështirësuar dhe në disa raste bllokuar totalisht qarkullimin në disa akse të rëndësishme.

Sipas presidentit, qytetarët e bllokuar në kushte të vështira duhet të ndihmohen, dhe i bën thirrje prokurorisë të reagojë ndaj zyrtarëve që sipas tij nuk po i japin atyre shërbimin e duhur.

TË NDIHMOHEN QYTETARËT DHE FAMILJET E IZOLUARA NGA DËBORA! PROKURORIA TË REAGOJË NDAJ ZYRTARËVE, QË BRAKTISIN NJERËZIT…

Posted by Ilir Meta on Saturday, February 13, 2021

“Nga strukturat përgjegjëse në Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Infrastrukturës e Energjisë dhe Ministrinë e Bujqësisë nuk po komunikohet me strukturat vendore për të vlerësuar paralajmërimet e IGJEUM, për përmbushjen e detyrimeve ligjore në ndihmë të popullatës në nevojë dhe drejtuesve të automjeteve dhe familjeve të bllokuara.

Është përgjegjësi e strukturave shtetërore për informimin në kohë dhe menaxhimin e situatave problematike për shkak të motit.

Bllokimi i rrugëve nga dëbora dhe mos reagimi i strukturave qendrore e vendore, si dhe i kompanive private me detyrime kontraktore, duhet të zgjojë Prokuroritë e Rretheve për të proceduar penalisht përgjegjësit e braktisjes së qytetarëve në mëshirë të fatit”, ishin fjalët e presidentit për situatën e krijuar.