Arrest me burg për mjekun Edvin Prifti

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka lënë në burg mjekun kardiolog Edvin Prifti i cili u pezullua nga detyra pas hetimeve të SPAK.

Në seancën e verifikimit të masës së sigurisë “pezullim nga detyra” prokurorët e SPAK kanë ndryshuar qëndrim për mjekun. Referuar shumës së parave të gjetura në banesën e tij, prokurorët kanë ngritur dyshime për një akuzë tjetër, atë të “pastrimit të parave”. Për këtë shkak SPAK kërkoi masën e sigurisë “arrest në burg” për mjekun.

Por në deklaratën e tij para gjykatës, mjeku u shpreh se 220 mijë eurot i ka fituar nga çmimet ndërkombëtare.

SPAK ra në gjurmët e Priftit gjatë hetimit për korrupsion në Gjykatën e Krujës. Sekretarja Emanuela Mallkucci u  përgjua tek fliste për dhënie rryshfeti mjekut me qëllim operimin pa radhë të nënës së saj. Në sallën e gjyqit, përmes avokatit, Mallkuçi ka mohuar faktin. Ajo ka pretenduar se ka bërë biseda duke menduar se i duheshin lekë, por nuk i ka dhënë para as mjekut, as infermieres.