Merr fund pritja në kufirin Meksikë-SHBA, nisin procedurat për azilkërkuesit

Duke nisur nga java e ardhshme, qeveria amerikane do të nisë gradualisht procesin për azil-kërkuesit, që u detyruan nga administrata e ish-presidentit Trump, që të presin për muaj me radhë në kufi mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara. 

“Protokolli i Mbrojtjes së Emigrantëve”, i njohur formalisht edhe si programi “Qëndro në Meksikë” nisi në vitin 2019, si pjesë e iniciativës së ish-presidentit amerikan, për të mos lejuar emigrantët meksikanë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Por kjo politikë u pezullua nga presidenti Biden, në ditën e tij të parë të punës në Shtëpinë e Bardhë.

Janë me mijëra emigrantë, që prej muajsh jetojnë në çadra, pak metra larg kufirit zyrtar. Por javën e ardhshme do të nisin procedurat për të paktën 25 mijë emigrantë. Atyre do tu kërkohet fillimisht që të regjistrohen dhe më pas do t’i nënshtrohen testit për Covid, përpara se të lejohen të kalojnë kufirin. 

 “Departamenti i Sigurisë do të nisë hapat e parë për proceset individuale, të cilat mbetën pezull që prej 2019, të detyruar nga administrata e mëparshme, sipas protokollit për mbrojtjen e emigrantëve, që I detyroi të qëndronin në Meksikë. Kjo nuk do të thotë se kufiri drejt SHBA do të hapet për emigrantë te paligjshëm. Çdo emigrant do të kalojë në momentin e duhur, sipas procedurave” Janë më shumë se 65 mijë azil-kërkues, që presin të kalojnë kufirin për të dalë në seanca dëgjimore përpara gjykatave amerikane, shumica prej të cilëve jetojnë aty prej gati 2 vitesh.