Basha përsërit premtimet e Ramës: Më 25 prill, ai do të humbë dhe do të fitojë Shqipëria

basha 16 1100x620

Nga hapja e 300 mijë vendeve të punës, te negociatat dhe kthimi i emigrantëve në vend, kreu demokrat, Lulzim Basha, ka ripërsëritur premtimet e kaluara të kryeministrit Rama, prej të cilave, sipas tij, nuk është mbajtur asnjë. Në një konferencë për mediat numri një i selisë blu u shpreh se Rama ka dështuar në çdo drejtim.

“Premtoi 300 mijë vende pune, shëndetësi falas, heqje të TVSH-së për ushqimet bazë, ulje taksash për 97% të shqiptarëve, ulje e çmimit të energjisë, negociata me Bashkimin Evropian, uljen e borxhit publik, buxhetin për arsimin 5%. Legalizime falas dhe kthimin e emigrantëve në vend, por nuk ka mbajtur asnjë prej tyre. Ka dështuar në çdo drejtim”.

Sipas Bashës, kryeministri Rama tani po bën premtime boshe, ndërsa apelon për ndryshim  

“Rama premtoi para 8 vjetësh kujdes shëndetësor falas për të gjithë, por nuk e bëri dhe shëndetësia është në kolaps. Rama premtoi para 4 vjetësh se do të ulte kostot e jetesës, po kostot e jetesës vetëm rriten. Tani ka filluar të thotë të tjera premtime boshe. E gjithë kjo do të ishte për të qeshur sikur këto tallje të mos rëndonin mbi xhepat e shqiptarëve dhe të mos i vuanim në kurriz tash 8 vjet. Ka ardhur koha të ndryshojmë, ka ardhur koha ta largojmë Ramën dhe të punojmë për njerëzit”.

Duke sjellë në vëmendje situatën aktuale nga përmbytjet edhe reshjet, Basha shprehet se Rama nuk po bën asgjë për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë. Sipas tij, ai po bën vetëm propagandë, ndërkohë që shpreh bindjen se më 25 prill ai do të humbë.

“Vendi ynë është nën ujë. Sërish. Rrugët janë bllokuar. Sërish. Njerëzit po jetojnë në çadra. Ende. Gra e fëmijë po vuajnë të ftohtin. Katastrofa natyrore kanë ndodhur këto kohë dhe gjithmonë do të ndodhin. Pyetja e vetme që shtrohet është: ç’po bëhet për të shmangur sa më shpejt e sa më mirë pasojat që i vuajnë qytetarët? Çfarë bën Edi Rama sa herë njerëzit kanë nevojë për ndihmën e shtetit? Vetëm propagandë! Çfarë bëri Rama pasi ra tërmeti? Vetëm propagandë! Çfarë bëri Rama kur nisi pandemia? Vetëm propagandë! Çfarë bëri pasi nisën përmbytjet? Vetëm propagandë! Ku është Rama ku shumica e vendit është e bllokuar? Rama po bën atë që di të bëjë më mirë: vetëm propagandë! Me Ramën, Shqipëria ka ngecur në baltë, dhe ka ardhur koha që ta nxjerrim atë nga balta. Më 25 prill, Rama do të humbë dhe do të fitojë Shqipëria!”