Fisnik Ismaili zbulon si do të duket këtë vit Newborn-i

Fisnik Ismaili, autori i monumentit Newborn, zbuloi në një intervistë ekskluzive për A2 se si do të ndryshojë këtë vit ky monument.

“Në një moment përçarës, siç janë zgjedhjet, unë kam vendosur që ta trajtoj si diçka shumëgjithëpërfshirëse. Duke qenë se ka disa vite që luftës çlirimtare po i shkelet dinjiteti, është momenti që ne si qytetarë të bëhemi bashkë dhe të përkrahim luftën e pastër. Meqenëse Newborn-i i ka përçuar mesazhe botës që në ditën e parë të tij, këtë vit do të ngjyroset me ngjyra të ushtrisë. Njerëzit do të vendosin duart e tyre për të krijuar kamuflazhin e ushtrisë”, tregon Ismaili.

Fisnik Ismaili nënvizoi se ka më shumë se një vit e gjysmë që është shkëputur nga politika, duke theksuar se të gjithë politikanët i duken njësoj.

“Kam kuptuar se për secilin, qëllimi kryesor është ardhja në pushtet dhe jo mirëqenia e qytetarëve. Në kohën e pandemisë, asnjë prej subjekteve nuk u kujdes për qytetarët, por u bënin thirrje për t’u grumbulluar sa më shumë. Nëse një parti keqpërdor njerëzit në situatë pandemie, kjo tregon shumë për mua”, u shpreh Ismaili.