Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

“Ia dalim vetë”. Mitrovica provon të organizojë zgjedhje pa OSBE, presionet ndaj votuesve në Veri mbeten ende sfidë

Nga A2 CNN
14 Shkurt 2021, 11:45 | Kosova
“Ia dalim vetë”. Mitrovica provon të organizojë

Për herën e parë në historikun e zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë do të vetëmenaxhojë pa praninë e misionit të OSBE procesin e votimit në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

“Vetëbesimi” i KQZ-së për të mos ftuar misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në ndihmë të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok duket se vjen pas zhvillimit pa probleme të votimeve të jashtëzakonshme për kryetar komune të Mitrovicës së Veriut, në nëntor të vitit 2020.

Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur rezerva për vendimin e KQZ-së që përmes përfaqësuesit Alim Rama, gjatë një mbledhjeje të institucionit zgjedhor shprehu shqetësimin se qytetarët po frikësohen të bëhen komisionerë në pjesën veriore të vendit.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, do të marrin pjesë 28 subjekte politike në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit. Tre nga partitë që do marrin pjesë në zgjedhje janë subjekte politike të deklaruara serbe, ku prej të cilave vetëm Lista Serbe, e cila mbështetet dukshëm nga Beogradi zyrtar, ka struktura dhe degë.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2019 nuk prodhuan probleme madhore në komunat me shumicë serbe në veri, megjithatë misioni mbikëqyrës i Bashkimit Evropian, raportoi se kishte konstatuar presionet dhe frikësimet e qytetarëve të komunitetit serb, që të votojnë për Listën Serbe.

Pa probleme madhore janë zhvilluar edhe zgjedhjet e mëhershme në komunat me shumicë serbe në veri të vendit, megjithatë problemet e vjetra të intimidimit të votuesve kanë qenë gjithmonë prezentë.

Misioni i OSBE-së, që nga zgjedhjet lokale të vitit 2013, është ftuar që të asistojë në organizimin e zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Kjo është hera e parë që zgjedhjet në tërë territorin e vendit organizohen vetëm nga KQZ-ja.

A2 CNN Livestream

Dita jonë