Mësuesi hero, 1 mijë km në këmbë për të shpërndarë ushqim për fëmijët, tani ka nevojë për një operacion në gju

Një mësues 48-vjeçar nga Grimsby, Angli, mund të cilësohet një hero i vërtetë për të gjithë atë që ka bërë që prej fillimit të pandemisë në muajin mars të vitit të kaluar.

Zane Powles, pjesën më të madhe të ditës, që prej marsit të vitit 2020, e kalon duke shpërndarë ushqim për nxënësit në nevojë. Deri tani, ai ka shpërndarë më shumë se 10 mijë vakte dhe këtë e ka bërë duke ecur në këmbë më shumë se 1 mijë kilometra.

Erë, shi, borë, asgjë nuk e ka ndalë 48-vjeçarin në veprimin e tij të jashtëzakonshëm, por tashmë ai ka ndaluar për shkak të një problemi shëndetësor si pasojë e kilometrave të bëra në këmbë.

Ai po përballet me një problem në gju dhe për këtë ka nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale. Në fillim të kësaj jave, babai i tre fëmijëve shkroi në rrjetet sociale se po kalonte ditët e tij më të vështira. “Çfarë dite sot. Jam i rraskapitur”, shkroi ai.

Zane Powles është shprehur se shpreson që nxënësit të kthehen në shkollë në fillim të marsit, duke iu referuar ministrit të Arsimit në Angli, i cili theksoi se arsimi ka përparësi kryesore edhe pse situata nga pandemia është e vështirë.

“Mezi pres që fëmijët të kthehen në shkolla, jo për shkak të gjurit tim, por për faktin se kjo ka një ndikim të madh në shëndetin e tyre mendor”, tha ai.