Zgjedhjet në Kosovë, pjesëmarrje e ulët në zonat me shumicë serbe. Incidente në Prizren

Gazetarët e A2 CNN të zhvendosur në Kosovë, po raportojnë në kohë reale zhvillimet më të fundit nga procesi zgjedhor.

Nga Mitrovica e Veriut gazetari i A2 CNN Jul Kasapi

Nga Mitrovica  e Veriut, Jul Kasapi raportoi se procesi vazhdon normalisht. I vendosur në qendrën e votimit të shkollës teknike, ku numri i votuesve këtu është 3 mijë, ai tha se pjesëmarrja në votime deri në orën 13:00 është 20%. Kjo qendër u inspektua edhe nga drejtori i Policisë së Kosovës.

“Ne jemi zhvendosur në Mitrovicën e Veriut në Shkollën Teknike në vendvotimin më të madh. Vetëm pak më parë ishte Drejtori i Përgjithshëm i Kosovës që inspektoi gjithë situatën. Në këtë qendër, ka 3 mijë votues. Asnjë nga komisionerët nuk flet anglisht ose shqip dhe na është dashur të komunikojmë me KQZ-në. Deri më tani kanë votuar 20% e qytetarëve nuk është numër i lartë, por pritet fluks i shtuar. Përqindja nuk ka qenë e lartë, pjesa më e madhe ka votuar, ndërsa pritet shtimi i votuesve. Qendra Migjeni në Mitrovicën Jugore është qendra më e madhe që ka rreth 13 mijë votues”.

Nga Prizreni, gazetari i A2 CNN, Armend Pire

Nga Prizreni, gazetari i A2 CNN, Armend Pire raportoi se janë regjistruar disa incidente në orët e para të mëngjesit me shpërndarje të fletushkave nga Vetëvendosja për nxitje të qytetarëve në votim, apo mesazhet e AAK për të votuar këtë parti. Këto incidente, tha ai, janë konfirmuar nga burime të partive.

“Mesdita e gjen qendrën e Prizrenit më të populluar dhe qendrat e votimit, ku njerëzit i janë drejtuar kutive të votimeve. Incidente janë raportuar gjatë orëve të mëngjesit ku një anëtar i VV ka shpërndarë fletushka për nxitje të qytetarëve për votim. Ky veprim është i papërshtatshëm. AAK ka dërguar SMS inkurajuese për të votuar këtë parti dhe kjo është shkelje zgjedhore. Çdo gjë ka qenë normale, pa tensione dhe pa tentativë për manipulime votash.

Sa u përket respektimit të masave ai tha se në disa qendra ka pasur edhe dyndje të votuesve, ndërsa gjatë fushatës nuk janë kursyer gjobat.

“Masat respektohen pjesërisht. Nuk kemi parë nxitje apo moslejim për të mos hyrë në qendrat e votimit, është bërë vetëm kontroll i temperaturave. Në disa qendra, ka pasur dyndje të votuesve. Vërehet një mosrespektim i masave pandemike. Fushata elektorale në Prizren ka pasur prezencë të lartë të qytetarëve, ka pasur fluks dhe nuk janë kursyer as gjobat”.

Nga Peja, gazetari i A2 CNN, Ervin Koçi

Në Korashdec të Pejës, qendrën me shumicë serbe, gazetari i A2 CNN, Ervin Koçi raportoi për qetësi dhe pjesëmarrje të ulët në votime. Deri në orën 13:00, në këtë qendër kanë votuar 160 qytetarë nga 1700 votues.

“Në Korashdec të Pejës, qendra e votimit me shumicë serbe, vërehet qetësi dhe pjesëmarrje e ulët në votim, për shkak të kushteve të motit. Votat në këtë qendër shkojnë kryesisht për minoritetin serb. Në këtë qendër, ka 1700 votues dhe deri në orën 13:00 kanë votuar 160 qytetarë”.