Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Profil/ Enver Hoxhaj, politikani që është rastësisht kandidat për kryeministër

Nga A2 CNN
14 Shkurt 2021, 11:14 | Kosova
Profil/ Enver Hoxhaj, politikani që është rastësisht

Enver Hoxhaj, i Partisë Demokratike të Kosovës, është kandidat për kryeministër. Por, si arriti ai deri këtu? Është ende kryetar në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, pas largimit të Kadri Veselit, për t’u përballur me Gjykatën Speciale. Kjo lë të kuptohet shumë për Enver Hoxhajn, që për shumë konsiderohet si politikani që rastësisht është kandidat për kryeministër.

Ai është diplomuar në Universitetin e Vjenës dhe ka përfunduar doktoraturën po në atë universitet për Filozofi dhe Histori. Është profesor i asociuar në Departamentin e Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës, ndërsa ka publikuar një sërë studimesh dhe artikujsh për konfliktin etnik, kombin dhe nacionalizimin.

Nga 2005 deri në 2007 ishte pjesë e delegacionit të Kosovës gjatë procesit negociator të udhëhequr nga i dërguari i posaçëm i OKB-së, Marti Ahtisaari. Në vitin 2008, u zgjodh si ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa në 2011-n mori drejtimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Hoxhaj, në qeverinë Haradinaj ka shërbyer si zëvendëskryeministër, duke përfaqësuar PDK-në në qeveri. Njëkohësisht ka qenë edhe pjesë e delegacionit të Kosovës për bisedimet Kosovë-Serbi. Gjithmonë një figurë politike e respektuar, jo vetëm brenda PDK-së, por edhe nga forcat e tjera politike, Hoxhaj ka qenë gjithmonë pranë kryetarit historik Hashim Thaçi dhe Kadri Veselit. I gjendur përballë një situate të vështirë për shkak të proceseve gjyqësore të Gjykatës Speciale, ai mori drejtimin e partisë.

Tashmë ka detyrën më të rëndësishme në karrierë, të udhëheqë PDK-në në këto zgjedhje të parakohshme dhe të provojë të marrë besimin e qytetarëve për të formuar ndoshta dhe qeverinë e re. Programin politik e ka përqendruar kryesisht në luftën ndaj pandemisë, por edhe në rimëkëmbjen ekonomike. Nëse arrin një rezultat të mirë, emërtimi i postit mund të ndryshojë nga kryetar i PDK në detyrë, në kyetar.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu