Sherri në Ballsh, Laçi pezullon bomberin e skuadrës

Në pritje të masave ndëshkuese të Komisionit të Disiplinës, për dhunën masive në ndeshjen Bylis-Laçi, klubi kurbinas ka reaguar.

Bardhezinjtë njoftuan pezullimin e bomberit të skuadrës, Kyrian Nwabueze. Sulmuesi ishte nxitësi i dhunës, duke goditur në mënyrë antisportive kundërshtarin, ndërsa pas kartonit të kuq për gjestin, i dha një shuplakë rivalit të shtrirë në fushë, veprime që u shoqëruan me sherr masiv.

Reagimit të lojtarëve të Bylisit, Nwabueze iu përgjigj me grushte, ndërsa lojtarët vendas reaguan me shkelma dhe grushte. Për gjestet e bëra, Laçi vendosi ta pezullojë sulmuesin amerikan, duke paralajmëruar edhe masa të tjera disiplinore.

Reagim i KF Laçi pas ngjarjes së ndodhur në ndeshjen kundër Bylisit:

KF Laçi, pasi ka parë me qetësi gjithçka ka ndodhur përmes videove në ndeshjen me Bylisin, ka zhvilluar një mbledhje urgjente dhe ka vendosur pezullimin e përkohshëm të sulmuesit Kyrian Nwabueze. Sherri i djeshëm në sfidën me Bylisin dënohet nga klubi ynë, sikurse edhe sjellja e futbollistit tonë.

Pavarësisht arsyeve, nga ne nuk mund të pranohen veprime të tilla të dënueshme. Nisur nga gjithë situata e krijuar, Nwabueze do të jetë i pezulluar për momentin dhe ndaj tij do të merren edhe masa të tjera në një vendim të dytë. Dhuna në futboll nuk ka vend dhe ne si klub mbështesim futbollin e bukur dhe “fair-play”.

Urojmë dhe shpresojmë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më, pasi nuk i kanë hije këtij sporti të bukur. Ne si klub do të jemi në shërbim të vlerave dhe të rritjes së futbollit.