Situata sipas ARRSH, akset nacionale të hapura, ruralet me zinxhirë

Autoriteti rrugor shqiptar ka njoftuar për gjendjen e rrugëve në vend, pas reshjeve të borës dhe uljes së ndjeshme të temperaturave. Sipas të dhënave më të fundit, akset kryesore nacionale në vend janë të hapura dhe qarkullohet normalisht.

ARRSH rekomandon përdorimin e zinxhirëve kryesisht në akset rurale në veri, qendër dhe jug të vendit.

Edhe pse reshjet e borës, kanë pushuar temperaturat e ulëta që do të vazhdojnë në orët në vazhdim kanë favorizuar krijimin e akullit në rrugë. Për këtë arsye ARRSH iu bën apel drejtuesve të mjeteve që të shmangin lëvizjet e panevojshme si dhe të pajisen me goma dimërore ose me zinxhirë.

Firmat kontraktuese për mirëmbajtjen janë në terren ndërsa po punohet për të hapur edhe akset rrugore që janë të bllokuara apo ato që herë pas here bllokohen për shkak të erës.