Zgjedhjet në Kosovë, sloganet dhe programet elektorale të partive politike

Për herën e pestë radhazi që prej shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt 2008, Kosova do të zhvillojë sërish zgjedhje të parakohshme parlamentare, më 14 shkurt, në të cilat 28 subjekte politike garojnë për 120 vende në parlament.

Siç ndodh zakonisht në Kosovë, partitë vijnë në këto zgjedhje me slogane që spikatin, që janë më tepër bindëse, sesa prekëse.

Slogani i zgjedhjeve të 6 tetor 2019 i Lëvizjes Vetëvendosje ishte i qartë. “Erdhi dita”, një togfjalësh i drejtpërdrejtë që nënkuptonin çlirimin nga “e shkuara” politike njëkohësisht një mundësi e re. Në zgjedhjet e 14 shkurtit “Vetëvendosja” vjen me sloganin “Krejt dhe Drejt”. Slogani mund të interpretohet në mënyra të ndryshme, por ashtu siç ka pohuar edhe kryetari i saj Kurti, kuptimi i tij mbart nevojën për maksimizimin e votave dhe qeverisjen drejt qëllimeve të parashtruara edhe në programin elektoral.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka zgjedhur për slogan togfjalëshin “Shteti-Shtet”, në dukje si një kundërpërgjigje ndaj Vetëvendosjes e njëherazi premtim për “ta bërë shtetin shtet”.

Partia Demokratike e Kosovës vjen me sloganin “Rimëkëmbje” e cila mund të interpretohet si rimëkëmbje e vetë partisë e njëherazi ekonomisë dhe pozicionit politik të Kosovës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës duket se ka hyrë me tjetër qëllim në zgjedhje. Qëllimi i cili diktohet edhe nga slogani “Forca e Kosovës, Ramushi president”, duket se ka për synim bërjen e Hardinajt president dhe jo aq shumë fitimin e zgjedhjeve.

NISMA, një parti e dalë pas luftës, përmes sloganit “Me çlirimtarët” duket se solidarizohet me ish-themeluesin e UÇK-së, Fatmir Limajn i cili ndodhet në Hagë një ndër figurat kyçe të kësaj partie.

Rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë COVID-19 pritet të jetë sfida me të cilën do të përballet qeveria e ardhshme e Kosovës. Kësisoj edhe programi elektoral i partive politike kryesore është përqendruar te rimëkëmbja ekonomike e vendit.

Lëvizja Vetëvendosje, përmes kryetarit të saj Kurti i cili nuk garon në listën e kandidatëve për deputetë për shkak të disa problemeve ligjore, ka argumentuar se programi i saj synon një ekonomi në rritje me kushte të barabarta për të gjithë.

Rimëkëmbjen e vendit pas pasojave nga pandemia, përmes programit elektorat të paraqitur për votuesit po e synon edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila po qeveris aktualisht vendin mes shumë kritikave për sa i përket menaxhimit të krizës shëndetësore.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës, premton mbi 1 miliard euro për rimëkëmbje ekonomike, prej të cilave, 500 milionë euro do të jenë kontribute financiare pa kthim për ndërmarrjet private në Kosovë.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka një program të ngjashëm me Vetëvendosjen, aq sa e ka akuzuar këtë të fundit se e ka kopjuar.

Paketë të ngjashme ekonomike premtojnë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën.

Programet e partive politike, përveç rimëkëmbjes ekonomike premtojnë reformim të sistemit të drejtësisë në vend si dhe garantimin e kushteve të barabarta për qytetarët.