Apeli i Metës: ARRSH dhe Mbrojtja Civile treguan se nuk kanë kapacitete, të merren masa për ngricat

Presidenti i Republikës, Ilir Meta akuzoi Ministrinë e Infrastrukturës, ARRSH dhe Mbrojtjen Civile se treguan se nuk kishin asnjë kapacitet për të përballuar motin e keq me reshje bore që goditi vendin dy ditë më parë. Sipas tij dhe kompanitë kontraktore për mirëmbajtjen e rrugëve nuk kishin as rezerva kripe, duke lënë njerëzi të bllokuar për orë të tëra.

“Në datat 12-13 shkurt rezultoi se asnjë kompani private, as ARRSH dhe as Agjencia për Mbrojtjen Civile nuk kishin kapacitetet njerëzore dhe teknike, si borëpastruese, fadroma e traktorë, në segmentet rrugore për të operuar qysh në orët e para të dëborës dhe stuhisë, duke i braktisur njerëzit e bllokuar në automjete, që qarkullonin në rrugë. Kompanitë kontraktore, rezultuan të mos kishin as rezerva kripe edhe pse kanë përfituar miliona euro kontrata ku deklarohen dhjetëra automjete motorike moderne për operacione në periudha dimri dhe mirëmbajtje rutinë të akseve rrugore”, shkruan Meta.

Më tej, Kreu i Shtetit bëri thirrje që të paktën të merren masa për parashikimet e IGJEUM për ditët me ngrica që do të pasojnë borë, duke garantuar funksionimin e akseve dhe furnizimin e banorëve me ushqime në rast nevoje.

“Duke ju referuar edhe paralajmërimit të bërë sot nga IGJEUM, për ngricat që mund të krijojnë probleme të ndryshme dhe vështirësi në transportin rrugor, përsëris apelin drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Infrastrukturës e Energjisë, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Bujqësisë për të vendosur komunikimin me strukturat vendore dhe për të përmbushur detyrimet ligjore në ndihmë të popullatës në nevojë, duke marrë të gjitha masat efikase për furnizimin me bazën e nevojshme të ushqimeve, evakuimin në rastet kur kërkohet, si dhe për të garantuar funksionimin normal të akseve rrugore”, përfundon presidenti.