Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

vaksina pfizer ne shqiperi 1100x620

Pritet të vijnë sot në Shqipëri 7000 doza të tjera të vaksinës Pfizer

Në bazë të marrëveshjes me kompaninë farmaceutike Pfizer, pritet të vijnë sot në vendin tonë 7000 doza të tjera të vaksinës kundër Covid.

Lajmin e njoftoi dy ditë më parë kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, sipas të cilit brenda këtij muaji pritet të vijë sasia e 40 mijë vaksinave që ishte premtuar që në fillim.

Sipas Bratajt, vendi ynë ka një kontratë me 500 mijë vaksina të Pfizer dhe 1 milionë e 140 mijë me COVAX, që kanë filluar të lëvrohen. Pra janë 800 mijë persona të paktën, me të dyja dozat, që janë të garantuar që do vaksinohen.

I gjithë sistemi parauniversitar nga sot deri të premten kalon online

Sot sistemi parauniversitar në vend nuk do ta zhvillojë mësimin në klasa, por online. Lajmin e konfirmoi në fundjavë ministrja e Arsimit, Evis Kushi, sipas së cilës, ky vendim do të jetë në fuqi deri të premten.

Shkak janë bërë temperaturat e ulëta që kanë përfshirë vendin dhe pamundësia për të respektuar protokollin e masave anti-covid që kanë të bëjnë me ajrosjen e ambienteve të mësimit. Ministrja siguroi familjet e nxënësve që po merren të gjitha masat për mbarëvajtjen e këtij procesi.

Dekretet e presidentit dhe miratimi i fondit për partitë në zgjedhje, sot në Kuvend

Zhvillohet sot seanca parlamentare, ku në rend të ditës është listuar votimi i dekreteve të presidentit Ilir Meta. Kreu i shtetit ktheu ligjin për taksat kombëtare të ndryshuara, i cili parashikonte përjashtimin nga taksa e rentës minerare për mineralet metalore që përpunohen në vend dhe eksportohen në formën e nënprodukteve minerare për 3 vjet, si edhe ligjin për miratimin e nivelit të tarifës doganore. Po në rend dite është parashikuar edhe miratimi i fondit për partitë politike në zgjedhje.

Zgjedhjet në Kosovë, Vetëvendosje fiton mbi 48% të votave

Kur janë numëruar më shume se 90 për qind e votave në Kosovë dhe rezultati i deritanishëm tregon fitoren e Vetëvendosjes me 48,17 për qind të votave, e ndjekur nga PDK me 17, 32 për qind dhe pasuar nga LDK me 13, 18 për qind. “Së bashku me ju sot po shënojmë histori”, tha në fjalën e saj përshëndetëse Vjosa Osmani. Ndërsa Kurti, duke theksuar se nuk do të hakmerret ndaj askujt tha se: “Ky referendum për drejtësi e punë dhe kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit, u fitua. Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës”.

PDK dhe LDK pranojnë humbjen

Sipas rezultateve të deritanishme, forcë e dytë në vend renditet PDK. Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, në një konferencë për media uroi Lëvizjen Vetëvendosje për vendin e parë në procesin zgjedhor dhe tha se si partia e dytë nuk do të jetë në qeverisje me LVV pasi janë shumë larg njëra-tjetrës. “Nuk bëjmë kompromis me vlera tona. PDK do të bëjë përpjekje maksimale që të funksionojë në mënyrë të rregullt parlamenti”, deklaroi Hoxhaj.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, pranoi humbjen e partisë së tij në këto zgjedhje dhe theksoi se nën drejtimin e qeverisë së tij procesi i rregullt zgjedhor tregoi një kulturë demokratike që është vendosur në vend, e që është përmbushje e standardeve evropiane. “Në ditët në vijim, do të bëjmë një analizë të thellë të zgjedhjeve”, ishte postimi i Isa Mustafës në Facebook.

Demokratët kërkojnë ta mbajnë larg kandidimit Trump

Pasi e shpalllën të pafajshëm për trazirat e 5 janarit në Kapitol në Senat, ende ekziston një ndarje e madhe për rolin e Donald Trump në të ardhmen. Demokratët kërkojnë me këmbëngulje ta mbajnë atë larg kandidimit në të ardhmen, por mesa duket ish-presidenti gëzon ende mbështetje mes të tijëve dhe këtë e tregoi edhe vota e së shtunës. Përsa i takon procesit kundër tij, Trump ishte i bindur që nuk dënohej për sa kohë zgjodhi që kohën e tij ta kalonte duke luajtur golf.

Pritet të mërkurën votëbesimi para senatit i qeverisë Draghi

Në Itali u konfirmua qeveria e re e udhëhequr nga Mario Draghi, një dikaster i cili numëron më shumë politikanë sesa teknikë. Në postet kryesore të qeverisë vijojnë të jenë edhe disa ish-ministra si Di Maio i Lëvizjes së 5 yjeve për punët e Jashtme, apo Robertoi Speranza i La Lega-s për Shëndetësinë. Është koha ta çojmë përpara vendin e ta kalojmë këtë krizë tha në fjalën e rastit, Mario Draghi. Nuk munguan urimet nga ndërkombëtarët mes të cilëve është edhe presidenti amerikan. “Mezi pres të bashkëpunojmë për forcimin e marrëdhënieve tona në kuadër të sfidave që përballet bota. Votën e besimit para senatit pritet ta marrë të mërkurën.