Dogana e bllokuar, dhjetëra persona me autobusë dhe autovetura kalojnë natën jashtë në Qafë Thanë

MB Qaf Thana dogana frame 0 1100x620

Segmenti rrugor nga Qafë Thana në drejtim të doganës që mban të njëjtin emër ka rezultuar një ndër akset më problematike, sa i takon bllokimit nga dëbora. Që prej mesditës së djeshme e deri mëngjesin e sotëm në këtë aks mbetën të bllokuara disa autobusë dhe mjete të vogla, pasi era e fortë bllokonte shumë shpejt rrugën. Punën e borëpastrueseve e vështirësuan edhe disa autovetura që kishin mbetur të bllokuara dhe nuk lejonin mjetet e mirëmbajtjes të pastronin rrugën.

Pas orëve të tëra të bllokuara vetëm mëngjesin e sotëm është bërë e mundur që rruga të hapet me një kah, ndërkohë që mjetet borëpastruese pastrojnë herë pas here rrugën, pasi era e fortë e rikthen shpejt borën në rrugë. Fatmirësisht, nga ky bllokim nuk janë shënuar emergjenca në njerëz.